fbpx

Fshehja e 90 sekondave: Kur prokurori merr në mbrojtje vrasësin

Arsyetimi i vendimit të Prokurorisë Republikane, për rikualifikimin e aktakuzës në rastin e vrasjes së 4-vjeçarit Almir Aliu, “nga vrasje me paramendim në aksident komunikacioni”, është bërë kryesisht për të marrë në mbrojtje vrasësin Boban Iliq, që për Prokurorinë është vetëm një shofer i pakujdesshëm, i cili pasi nuk ka respektuar rregullat e komunikacionit, pa dashur ka shkaktuar “aksident të rëndë me pasojë – vdekje”, shkruan gazeta KOHA.

ÇKA PO FSHEH PROKURORIA

Nga një analizë e videomaterialit mbi përleshjen e cila rezulton me epilog fatal per Almirin e vogël, që ka bërë gazeta KOHA, rezulton një situatë krejt ndryshe, që mundohet ta fshehë Prokuroria maqedonase. Bëhet fjalë për kohën pasi përfundon përleshja mes dy grupeve dhe momentit të vrasjes së Almirit nga ana e Boban Iliqit me veturën e tij. Janë në pyetje gjithsej 90 sekonda nga ndarja e dy grupeve e deri te momenti i vrasjes që mundohet ta fshehë Prokuroria. Xhirimet nga kamera që qarkullojnë në opinion tregojnë se përleshja përfundon në orën 22:33,00, kur shihet qartë se dy vëllezërit Iliq largohen me automjetin e tyre. Prokuroria në aktakuzën e vet thotë se vëllezërit Iliq janë ndjekur nga tre personat e akuzuar për dhunë, në mesin e tyre edhe babai i Almirit, Sedat Aliu.

Me këtë aktakuzë Pokuroria mundohet ta arsyetojë vrasësin, duke lënë të kuptohet se ai “për të shpëtuar veten, në panikë duke ikur edhe nga babai i Almirit”, nga pakujdesia me automjetin e tij godet Almirin, nënën e tij dhe Sedat Aliun. Shtrohet pyetja, si është e mundur që Sedati ta ketë ndjekur Bobanin dhe në të njejtën kohë së bashku më fëminë dhe bashkëshorten e tij të hyjnë nën rrotat e Mercedesit të vrasësit?! Përgjigja nga kamerat e sigurisë është te këto 90 sekonda, nga ndarja e dy grupeve e deri te momenti i vrasjes së Almirit që ka ndodhur në orën 22:34:40 sekonda.

Gjatë kësaj kohe, dy vëllezërit Iliq janë larguar nga vendi i ngjarjes. Në të njëjtën kohë edhe babai, Sedati, i cili më herët e ka ndjekur nga pas veturën e Bobanit, ndërsa gjatë kësaj kohe prej 90 sekondave, ai është kthyer dhe është bashkuar me bashkëshorten dhe Almirin. Ndërkohë, gjatë këtyre 90 sekondave, tani, pa u ndjekur nga askush, Bobani kthehet dhe hakmerret me automjetin e tij duke goditur Almirin që ishte me nënën dhe babanë e tij Sedatin. Në këto 90 sekonda qëndron edhe motivi i vrasjes me paramendim, që heshtet qëllimisht nga Prokuroria e shtetit, e cila haptazi vihet në mbrojtje të vrasësit Boban Iliq.

Në favor të kësaj shkon edhe skena para burgut hetues të Shutkës, kur gazetari i TV 21 kërkon nga Bobvan Iliq të deklarohet nëse është penduar për vrasjen e 4 vjeçarit. Përkundër insistimit të gazetarit, vrasësi Iliq e kërcënon atë me fjalët “nuk dua të kthehem përsëri në burg”, duke ia lënë me dije që të thyejë qafën se mund ta pësojë edhe ky.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button