Ja çfarë pritet nga vizita e Koxiasit në Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias, do të vijë në Shkup, ndërkaq pritet që të ketë takim me kreun shtetëror të Maqedonisë. Vizitën e ministrit të Jashtëm grek njohësit e politikës së jashtme e cilësojnë si tejet pozitive sa i përket zgjidhjes së çështjes së emrit dhe sipas tyre që të dy vendet janë shumë pranë kompromisit në të cilin të dyja do të dalin fituese, njofton Portalb.mk.

Ish ambasadori Alajdin Demimi thotë se e rëndësishme është ajo se çfarë do të përfshihet në biseda.

“Kjo vizitë ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi vjen pas një muri të hekurt pas shumë vitesh mes dy vendeve. Gjithashtu kjo vizitë tregon vullnetin politik se mund të negociohet të propozohet, të bisedohet dhe me kusht edhe të arrihet marrëveshja. E rëndësishme është ajo se çfarë do të përfshihet në këto biseda, a do të jetë vetëm një çështje teknike për ndryshimin e emrit apo do të ketë edhe ndryshime tjera, si insistojnë grekët, ndryshimin e kushtetutës, emri të shkruhet kështu apo ashtu, mirëpo për këtë janë negociatat. Unë mendoj se duhet të zhvillohen negociata që mos të ketë fitues dhe humbës dhe atëherë do të ketë rezultate”, tha për Portalb.mk, Demiri.

Ai shtoi se protestat e dy palëve nuk mund të ndikojnë në zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Nga ana tjetër shumë subjekte jashtë politikës organizojnë protesta si në Maqedoni ashtu edhe në Greqi. Shtrohet pyetja se a kanë këta ndonjë fuqi për të ndikuar në këtë proces? Unë mendoj se nuk kanë fuqi, ata e bëjnë lojën e vet, që nëse zgjidhet ky kompromis të thonë se ne ishim kundër por atë e bëri qeveria”, shtoi Demiri.

Ish ambasadori Nano Ruzhin thotë për Portalb.mk se për herë të parë dy shtetet kanë bisedime direkte dhe se për herë të parë ka optimizëm dypalësh për zgjidhjen e emrit.

“Mund të thuhet se dy palët tani më janë në fazat e fundit për gjetjen e zgjidhjes së emrit. Për herë të parë kemi bisedime direkt të dy qeverive, optimizëm në dy qeveritë dhe propozimet serioze që janë të pranuara nga dy palët, që është shumë me rëndësi. Normal kemi disa gjëra tjera që do kisha thënë që kanë dalë nga ‘shinat’, siç janë disa shkrime gazetareske apo deklarata ekstremiste të politikanëve të ndryshëm, por në princip e dimë një, e ajo është që i gjithë procesi ka një mbështetje të fuqishme nga ndërkombëtarët që të zgjidhet sa më shpejtë. BE dhe SHBA nuk mund të thuhet se janë duke bërë presion por sqarojnë se çfarë do të ndodhë nëse vendi nuk zgjidh këtë problem”, tha Ruzhin.

Ai shtoi se megjithatë mund të ndodh edhe që të mos zgjidhet çështja e emrit.

“Mendoj se jemi shumë më afër zgjidhjes sesa mos zgjidhjes së çështjes së emrit. Mendoj se jemi afër një opsioni i cili do të ishte i pranueshëm për të dy palët. Në rast të ndonjë surprize të jashtëzakonshme të mos zgjidhet çështja e emrit, nuk është fundi i botës, gjithnjë ekzistojnë mundësi të reja, aspekte të reja, subjekte të reja politike që janë të gatshme që të zgjidhet kjo çështje. Këtu e kam fjalën për subjektet politike në Greqi si dhe në Maqedoni. Mirëpo kësaj radhe të jemi optimist dhe të shpresojmë që deri në fund të majit problemi të zgjidhet. Varianti pesimist është që zgjidhja mund të shtyhet deri në fund të viti, apo të presim zgjedhje të reja në Greqi, por mendoj se nuk do të arrihet deri këtu”, tha Ruzhin për Portalb.mk.

Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka njoftuar se nuk ka propozim- marrëveshje të çështjes së emrit Maqedoni – Greqi që është përpiluar vetëm nga Greqia, por një të tillë e ka përpiluar edhe Maqedonia dhe të njëjtën e ka dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë.

“Kemi një marrëveshje tonën të dërguar deri te pala greke. Kjo nuk është bërë e ditur më parë sepse nuk kemi dashur të bëhet kjo nëpërmjet mediave”, tha Dimitrov i cili i pyetur se a janë të pranueshme propozimet e palës Greke nga MPJ-ja e Maqedonisë, si tha: “Ajo është parashikimi cili është në rrjedhë, dhe se dhënien e përshtypjeve se a janë ose jo të pranueshme propozimet e Greqisë nuk do ta bënim nëpërmjet mediave”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov nuk parapëlqeu të flasë as për afatin se deri kur duhet të propnoncohet për propozimet e njëra-tjetrës diplomacia maqedonase dhe greke.

Duke shtuar më tej, ministri Dimitrov ka deklaruar se “sa më pozitivë dhe më pak të interesuar për t’u përleshur ndërmjet vete, aq më mirë do të ecim në këtë rrugëtim” e ndërsa ka bërë të ditur se në këtë proces ka pasur edhe impikime nga shtetet e rajonit.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Greqi-Maqedoni

Greqi – Maqedoni

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”, transmeton Portalb.mk.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, tre prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme, Maqedonia Veriore dhe Maqedonia e Vardarit.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button