Kuvendi ka ueb-faqe në 4 gjuhë, presidenti në 2 gjuhë, Qeveria vetëm në një gjuhë

Qeveria e Maqedonisë vazhdon ta ketë ueb-faqen zyrtare vetëm në gjuhën maqedonase, ndërkaq paralajmërohet se po punohet, por ende nuk dihet se kur do të mbarojnë punët, njofton Portalb.mk.

Edhe pse ende nuk na kanë dërguar përgjigje zyrtare, Portalb.mk mëson nga burimet qeveritare se po punohet në këtë drejtim dhe se për shkaqe teknike ende nuk është mbaruar.

Për dallim nga Qeveria, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, ka ueb-faqe funksionale në 4 gjuhë, maqedonisht, shqip, anglisht dhe frëngjisht.

Ashtu siç mund të shihet, ueb-faqja është tërësisht funksionale, përfshirë këtu arkivin, por edhe kumtesat, të cilat janë publikuar në kohë reale në katër gjuhë.

Nga ana tjetër, ueb-faqja zyrtare e presidentit të Maqedonisë, vazhdon të jetë vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, duke anashkaluar gjuhën shqipe.

Te ministritë çështja është e përzier, nga 15 ministritë (përfshirë edhe zv/ministritë të cilat kanë ueb-faqe të tyre), 9 prej tyre, ueb-faqet i kanë në tre gjuhë (maqedonisht, shqip, anglisht), 4 i kanë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, tre i kanë vetëm në maqedonisht, ndërkaq dy i kanë vetëm në maqedonisht dhe shqip.

Zv/ministritë

Ministritë

Sa për krahasim, ueb-faqja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht ajo e Zyrës së Kryeministrit është në tre gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht. Ueb-faqja e qeverisë së Serbisë është në: serbisht, anglisht dhe italisht.

Sipas ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve, i cili pritet që së shpejti të hyjë në fuqi, institucionet obligohen që ueb-faqet e tyre t’i kenë edhe në gjuhën e 20-të përqindëshit (shqipe).

Sipas Preambulës së Kushtetutës së RM-së, Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohet barazia e plotë dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë tjera që jetojnë në RM.

Neni 1 i Amendamentit V të Kushtetutës së RM-së përcakton qartë: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen… Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari…”.

Pasi Ivanov s’e dekreton, si do të hyjë në fuqi ligji për gjuhët?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button