Malishevë: Vdes nga ethet hemorragjike nxënësja 16 vjeçare

Natën mes të shtunës dhe të dielës ka vdekur nga ethet hemorragjike nxënësja 16 vjeçare nga fshati Pllaçicë eMalishevës, Albana Gashi. Prindi i saj Halil Gashi ka bërë me dije se ajo ka vdekur në orët e para të mëngjesit të së dielës, në KI të QKUK-së. Këtë e ka konfirmuar  edhe drejtori i kësaj klinike, Dr. Shemsedin Dreshaj.

”Po rreth orës 01:00 të ditës së sotme ka vdekur nga ethet hemorragjike një paciente 16vjeçare nga Komuna e Malishevës pas qëndrimit disa ditësh në klinikë”, ka theksuar ai.

“Është vërtetuar me analiza laboratorike nga më të sofistikuarat se pacientja ka vdekur nga ethet hemorragjike krime-kongo”, ka njoftuar Dr. Dreshaj të dielen në mesditë.

Dr. Besim Zogaj, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ka bërë me dije të njëjtën ditë se kjo paciente është dërguar për ndihmë mjekësore në QKMF me 13 qershor prej nga është përcjellë menjëherë për në KI të QKUK-së. 

“Pacientja është e evidencuar në librin e protokollit më 13 qershor, e ardhur si gjendje pas pickimit nga rriqra dhe është drejtuar menjëherë për në KI të QKUK-së”, ka bërë me dije Dr. Zogaj. 

Të dielën rreth orës 12:00 në varrezat e fshatit Pllaçicë është bërë varrimi i 16 vjeçares Albana Gashi. Veç familjarëve dhe qytetarëve të shumtë në varrimin e saj kanë marrë pjesë edhe nxënësit e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Beqir Gashi”, të Mleçanit ku e ndjera i ka ndjekur mësimet si nxënëse e klasës së tetë. /Kohanet

Lajme të ngjashme

Back to top button