Tetovë: Femrat shqiptare në fokusin e QJQ-ve

Gratë shqiptare, sidomos ato që jetojnë në pjesët rurale të Maqedonisë janë të diskriminuara në përgjithësi, ndërsa problemi më i madh qëndron në realizimin e të drejtave të tyre politike dhe sociale. Kështu thonë përfaqësueset e Institutit për Hulumtime Politike dhe Qeverisje të Mirë, Lidhjes së Gruas Shqiptare si dhe organizatës Shpresa të cilat kanë zhvilluar seminare edukative në Tetovë dhe në fshatrat e saj.

Instituti për Hulumtime Politike dhe Qeverisje të Mirë me mbështetje të Ambasadës Norvegjeze ka zhvilluar një seminar me femrat e fshatit Trebosh të Tetovës me temën “Ngritja e vetëdijes tek gjinia femërorë për edukim qytetarë dhe mirëkuptim kulturor”. Seminari kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes së gruas se pse ato duhet të angazhohen më shumë në jetën sociale dhe politike.

 “Konceptet kulturore, qytetare dhe politike ende mbeten të largëta për tu praktikuar tek femrat në vendet rurale. Gratë shqiptare por dhe ato maqedonase nga vendet rurale janë të ç’kyqura nga pavarësia ekonomike dhe angazhimi në politik, ku këtu nuk bën pjese vetëm vota e tyre por aktiviteti në procesin politik” ka thënë Enisa Bajrami, kryetarja e IHPQM. 

Nga ana tjetër, Zana Xhelili nga Lidhja e Gruas ka përmendur faktin që femrat nëpër vendet rurale për dallim nga ato urbane, janë më të dominuara dhe nënshtruara nga dominimi patriarkal që ndikon shumë në mënyrën se si këto femra jetojnë dhe zhvillohen. 

“Gratë nëpër fshatra janë subjekt i dominimit patriarkal dhe janë të diskriminuara në përgjithësi në lidhje me qasjen në arsim dhe në të drejtat e tyre në ekonomi apo politikë” tha Xhelili.

Sadije Aliti, aktiviste për të drejtat e grave ka folur përpara të pranishmëve se sa e rëndësishme është angazhimi i femrave nga vendet rurale në jetën politike-sociale në vend.

“Sot kohërat kanë ndryshuar dhe femrat kanë më shumë mundësi për tu shkolluar dhe arsimuar se sa në të kaluarën kështu që na takon neve të kërkojmë më shumë nga vetja dhe ti tejkalojmë vështirërsitë që i kemi përpara. Në asnjë vend në botë femra nuk e ka arritur barazinë gjinore brenda një kohë të shkurtër por të gjitha janë dashtë të ballafaqohen më vështirësi të ndryshme gjatë kohë” ka thënë mes tjerash Aliti.

Rëndësi të posaçme femrave në këtë komunë i ka përkushtuar dhe Organizata “Shpresa” nga Tetova e cila me mbështetjen e Ambasadës Amerikane për më shumë se një muaj ka zhvilluar projektin “Vota e GRUAS dhe Hendeku Gjinor”. Qëllimi i projektit ishte nxitja sa më masive e grave për të votuar pa presione dhe eliminim të votimeve familjare.

“Së bashku me Ambasadën e Amerikës në Shkup jemi munduar që për një muaj resht gati nëpër gjitha komunat e fshatrave të Tetovës të takojmë sa më shumë femra që të inkurajojmë inkuadrimin e tyre në sferën politike në masë sa më të madhe. U habitëm nga interesimi që kanë treguar femrat e këtyre komunave, kjo qartë tregon se ka vullnet të mirë thjesht duhet nxitje dhe përkrahje më të madhe” tha për Portalb, Enisa Murseli, koordinatorja e projektit.

“Në Maqedoni femrat nga vendet rurale ballafaqohen me probleme të mëdha sa i përket votës së tyre. Shpesh herë vota e tyre është e influencuar nga dikush tjetër dhe në këtë mënyrë tjetër kush vendos për to. Ajo që ato duhet të bëjnë është të paraqiten në vend votim dhe të japin votën e tyre në mënyrë teknike. Kjo qasje duhet të ndryshojë sa më shpejtë sepse dukshëm shkel të drejtat bazike të njeriut” ka thënë eksperti i të drejtave të njeriut, Orhan Ceka i cili është bashkëpunues me Organizatën “Shpresa”.

Nga Instituti për Hulumtime Politike dhe Qeverisje të Mirë njoftojnë se projektin për ngritjen e vetëdijes së grave do ta zhvillojë në ditët në vijim nëpër gjitha komunat e regjionit të Pollogut dhe qyteteve të Maqedonisë perëndimore./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button