“Terrorizmi është një e keqe e përbashkët dhe bashkarisht duhet të mposhtet”

Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë zhvilloi një takim me një delegacion të lartë të Bashkimit Evropian, i udhëhequr nga Pedro Serrano, Zëvendës sekretari i Përgjithshëm për Politikat e Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me fokus në forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftuan nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Hari Lokvanec në takim dha një retrospektivë të bashkëpunimit të frytshëm mes Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, takimeve të realizuara, programeve, strategjive, planeve, aktiviteteve që u prezantuan në një diskutim cilësor për një çështje kaq të rëndësishme si mbrojtja dhe siguria.

Anëtarët e delegacionit vlerësuan pozitivisht proceset e reformave, duke shprehur mirënjohjen për pjesëmarrjen e Maqedonisë në misionet paqeruajtëse, si dhe kontributin për përballimin e krizës së migracionit, thuhet në njoftim.

Në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe stabilitetit, thuhet në njoftim, Maqedonia sillet sikur të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe ashtu do të vazhdojë edhe në të ardhmen sepse paqja globale është në interes të përbashkët.

“Mbështetja e vazhdueshme e BE-së është e një rëndësie të veçantë për ne, si një vend i vogël, me burime dhe kapacitete të pamjaftueshme. Për shkak se ndikimi është i fortë, paraqitet nevoja për ngritjen e kapaciteteve, mekanizmave të rrepta, më shumë fonde shtetërore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, rritjen e vigjilencës në kufi dhe vëmendje më të madh për luftëtarët lokalë, të cilët nuk janë të lidhur, por të frymëzuar, si dhe në financimin i cili arrin tek këto grupe të tilla përmes kanaleve të ndryshme. Investimi në arsim dhe kulturë është vendimtar, gjithashtu edhe punësimi “, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Maqedonisë.

Ndër të tjera, në takim është theksuar rëndësia e rolit të Kuvendit në miratimin dhe zbatimin e ligjeve, funksionimin e tyre dhe funksionin mbikëqyrës.

“Republika e Maqedonisë ndjek të gjitha direktivat e BE-së, rekomandimet, masat, proceset, rezolutat. Në Kuvend ekziston pajtueshmëri për miratimin e akteve ligjore kundër çdo lloj forme të dhunës. Të gjithë deputetët, pavarësisht cilës parti i përkasin, janë pjesë e këtij fronti kundër ekstremizmit, terrorizmit dhe radikalizmit dhe bashkë me BE-në kjo betejë duhet të fitohet. Terrorizmi nuk njeh kufij, religjione, kultura, ai është e keqja e përbashkët dhe për këtë arsye së bashku duhet ta mposhtim”, thuhet në kumtesë me rastin e takimit të Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri të Kuvendit të Maqedonisë dhe delegacionit të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button