Shqipëri, arrestohet kryebashkiaku i Lezhës

Gjatë operacionit policor “Ranishtja 4″, është arrestuar kryetari i Bashkisë së Lezhës në Shqipëri, Fran Frrokaj, nënkryetari i kësaj bashkie, Enver Hafizi dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni të cilët akuzohen për veprat penale tё “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjithashtu është arrestuar edhe kryetari i Këshillit të Qarkut Lezhë, Gjok Ndoka. Në një konferencë për mediat, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Ferdinand Mara, theksoi se gjatë operacionit në fjalë deri tani janë arrestuar dhe ndaluar 12 zyrtarë publikë dhe janë shpallur në kërkim 11 zyrtarë e shtetas të tjerë.

Sipas policisë të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin “duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 metër katrorë tokë shtetërore në zonën bregdetare Shëngjin”.

Kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumente të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemëtore, e cila sipas Policisë së Lezhës është shitur me dokumentacion të falsifikuar.

Kujtojmë se Fran Frrokaj u zgjodh në krye të Bashkisë së Lezhës në zgjedhjet vendore të vitit 2015.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button