Sllovaki, shpërbëhet qeveria për shkak të vrasjes së gazetarit

Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico dhe qeveria e tij kanë dhënë dorëheqjen sot për shkak të krizës së thellë dhe demonstratat e organizuara pas vrasjes së gazetarit investigativ dhe të dashurës së tij muajin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti sllovak Andrej Kiska ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit Robert Fico, ndërsa mandati për të formuar një qeveri të re i është dhënë Peter Pellegrinit, zëvendëskryeministrit.

Me këtë vendim, koalicioni tripartiak do të mbetet në pushtet, duke shmangur kështu mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Pellegrini, i cili vjen nga Partia Socialdemokrate e Ficos, do të formojë një qeveri me të njëjtit partnerë të koalicionit, Partinë Kombëtare Sllovake dhe partinë hungareze të Sllovakisë, Most-Hid. Koalicioni posedon shumicën në parlament.

Kryeministri sllovak dorëzoi dorëheqjen e tij të mërkurën për të qetësuar revoltën dhe protestat e dhjetëra mijëra sllovakëve. Fico ka kushtëzuar dorëheqjen e tij duke kërkuar që presidenti të garantojë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Pas vrasjes së gazetarit dhe hulumtuesit Jan Kuciak, dorëheqje pak ditë më parë dha edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i vendit Robert Kalinak.

Më parë, edhe ministri i Kulturës Marek Madaric kishte paraqitur dorëheqjen e tij.

Gazetari Jan Kuciak dhe e dashura e tij u vranë më 25 shkurt në Sllovaki, ndërsa vrasja shkaktoi protesta masive në të gjithë vendin.

Qeveria ka premtuar shpërblim prej një milion eurosh për informacione që mund të çojnë në zbardhjen e vrasjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button