fbpx

Shkup, shënohet Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit

Me rastin e 15 Marsit, Ditës Botërore të të Drejtave të Konsumatorëve, Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë, Ministria e Ekonomisë dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë, organizuan një event me moton “Të bëjmë tregun dixhital më korrekt për konsumatorët”, raporton Anadolu Agency (AA).

Organizatorët theksuan se Organizata Botërore e Konsumatorëve (OBK) bashkë me anëtaret e saj, ne mesin e të cilëve edhe Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë (OKM), punon aktualisht në një sërë projektesh të cilat do të ndihmojnë për ndërtimin e një bote të besueshme dixhitale për konsumatorët.

Marijana Llonçar-Vellkova nga OKM, tha se qëllimi është të krijojmë një besueshmëri tek njerëzit, se është e mbrojtur siguria e tyre online, për t’u mundësuar konsumatorëve nga e mbarë bota të kenë qasje në shërbimet dhe produktet e besueshme online.

“Tashmë na duhet të flasim për tregun dixhital, për të parë mundësitë se si t’i mbrojmë të drejtat e konsumatorëve, veçanërisht ato në fushën e të dhënave personale dhe në aspektin e privatësisë sonë. Gjithnjë e më shumë, lodrat të cilat po shfaqen si të mençura dhe të konektuara kanë një problem të madh, nga shkaku se softueri i cili është tek ato, nuk përditësohet, më saktësisht nuk është një softuer që ofron mbrojtje për fëmijën dhe familjen tuaj”, tha Llonçar-Vellkova.

Ajo theksoi se vërejtjet më të shpeshta të qytetarëve kanë të bëjnë me telefonët celularë të tyre, që kanë gabime softuerike, për të shtuar se këtu bën pjesë edhe teknika e bardhë, prodhimet për amvisëri, për të cilat siç tha, qytetarët presin një jetëgjatësi më të madhe të tyre, por që prishen me skadimin e garancisë.

Për sa i përket shitjes online, Llonçar-Vellkova thotë se në Maqedoni kjo shifër është 25 për qind, në të shumtën e rasteve veshmbathje, ndërkohë që numri i parashtresave të konsumatorëve për ushqimin varion mes 300 dhe 400 në vit, kryesisht nga mosinformimi i tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button