Ligji për gjuhët, cila është e vërteta rreth votimit të Selës dhe Gashit?

Reagime të mëdha në opinion u shfaqën pasi që doli lista e emrave të deputetëve që kanë votuar “për” ligjin për përdorimin e gjuhëve gjatë seancës së djeshme parlamentare. Sipas listës së publikuar nga Kuvendi, deputetët Afrim Gashi nga Lëvizja BESA dhe Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, nuk kanë votuar për ligjin, ndërkaq të njëjtët e mohojnë duke pohuar se ata kanë qenë pjesë e deputetëve që e kanë shtypur sustën “për” që të miratohet ligji, shkruan Portalb.mk.

“Duhet të pyeten shërbimet kuvendore, ata patjetër duhet ta dinë se çfarë ka ndodhur. Unë votova dhe aty tregoi se kam votuar. BDI, sipas të gjitha gjasave qëndron prapa kësaj propagande të ulët”, ka deklaruar Sela.

Edhe Afrim Gashi thotë se mund të jetë qëllimisht e bërë, pasi që edhe ai pohon se ka votuar.

“Sigurisht ka diçka, mundet që qëllimisht është bërë. Si mundet që vetëm unë dhe Sela, sipas listës të mos kemi votuar. Ka ndonjë tendencë, por nëse nuk kemi dëshmi nuk mund të konstatojmë. Me këtë dëmtohet imazhi im. Nuk dua që në arkivin e Kuvendit të qëndrojë se nuk kam votuar”, thotë Gashi.

Nga ana tjetër, edhe deputeti i LSDM-së, Ferid Muhiq, thotë se ka votuar “për” megjithatë sistemi e ka nxjerrë sikur të mos ketë votuar fare.

“E shtypa sustën, nuk e di se si ngeli vota e paregjistruar. Absolutisht kam votuar, ashtu edhe siç shihet në deputetët e jo-shumicës kam ngritur dorë. Ky ligj është kushtetues dhe është për të mirën e qytetarëve të Maqedonisë”, thotë Muhiq.

Megjithatë, gjatë votimit të deputetëve të etniteteve të pakicës, i cili është bërë me ngritjen e dorës, sipas video-materialit të publikuar nga Kuvendi, mund të shihet se deputetët shqiptarë e kanë ngritur dorën. Atë mund ta shihni në videon e mëposhtme në minutën: 1:46

Burimet e Kuvendit për Portalb.mk, thonë se nuk mundet që të manipulohet me sistemin e votimit, por ka dy mundësi që të kenë ndodhur – ose të jenë vonuar gjatë votimit ose të ketë pasur ndonjë problem teknik.

“Është e mundur të ketë pasur ndonjë problem teknik, por është e mundur edhe që të jenë vonuar gjatë votimit, pasi që nëse deri në sekondën e 10-të nuk votohet atëherë edhe nëse e shtyp sustën nuk pranohet – pra regjistrohet sikur të mos kesh votuar. Ka ndodhur edhe në raste tjera kur deputetët nuk kanë votuar në kohë, ndërkaq hidhet poshtë mundësia që dikush të manipulojë me sistemin”, thonë burimet kuvendore për Portalb.mk.

Pasi Ivanov s’e dekreton, si do të hyjë në fuqi ligji për gjuhët?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button