Tetova me 100 shfrytëzues të heroinës, policia gjatë 2017 ka konfiskuar vetëm 2.85 gramë heroinë

Qyteti i Tetovës numëron rreth 100 përdorues të heroinës, ndërkaq shërbimet policore gjatë vitit të fundit, kanë kapur vetëm 2.85 gramë heroinë, shkruan Portalb.mk.

“Numri  i të varurve nga droga te ne është rreth 100 dhe ky është nj ë numër që thuajse e kemi çdo vit, përdoruesit e drogës janë nga moshat e ndryshme, duke filluar nga 17 vjeçar e deri në 55. Mosha mesatare e të varurve është rrethe 40 vjeçar, të cilët tash më një kohë të gjatë janë të varur nga kjo substancë vdekjeprurëse“, thotë për Portalb.mk, udhëheqësi i Qendrës  për Trajtim të Drogave, mjeku, Gjorgji Miçinkov.

Nga ana tjetër, nga Sektori për Punë të Brendshme i Tetovës, për Portalb.mk, njofton se gjatë vitit 2017, nga aksionet që i ka zhvilluar në rajonin e Pollogut, ka pasur gjithsej 55 raste, ndërkaq janë dorëzuar gjithsej 68 padi penale.

“Gjatë vitit 2017 në SPB Tetovë ka evidentuar 55 raste për tregti me lëndë narkotike,  nga të cilat 28 janë në qytetin e Tetovës dhe 27 në qytetin e Gostivarit, ku gjithsej janë evidentuar 56 persona  nga ku  për 52 persona janë ngritur padi adekuate penale. Nga aksionet e policisë janë gjetur gjithsej 3.95 gram marihuanë, 8.12 gram kokainë, 2.85 gramë heroinë, 181 tableta ekstaza dhe 5 mililitra metadon”, thonë për Portalb.mk nga SPB Tetovë.

Nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në rajonin e Tetovës dhe Gostivar gjatë vitit 2016 tregojnë se janë ngritur gjithsej  68 padi penale për veprën tregti me lëndë narkotike.

Heroina që shumë rëndë shërohet

Mjeku Gjorgji Miçinkov për Portalb.mk, thotë se marrja e drogës fillon nga një moshë shumë e re, ndërkaq shitësit e drogës janë ata që kanë më shumë interes të sheshin më shumë drogë dhe ata i motivojnë të rinjtë që të marrin këtë lëndë narkotike.

“Heroina mund të vendoset ne pije, ushqim dhe cigare, zakonisht për herë të parë ajo të jep një energji pozitive deri sa je në ndikimin e saj, por ajo shumë shpejtë kalon dhe më pas ke një krizë të madhe që je i detyruar të kërkosh edhe dozë tjetër dhe kjo është një pjesë e asaj që mund të themi krijimi i një të varuri të ri”, thotë mjeku Gjorgji Miçinkov.

Nga Qendra për Trajtim të Drogave në Tetovë, informojnë se deri më tani, kjo qendër është pajisur me Metadon, preparat që shfrytëzohet për të kuruar të varurit  e drogës, ndërkaq trajtimi i një të varuri nga heroina, është e rëndë dhe para se gjithash duhet që përdoruesi të ketë vullnet për shërim.

“Të trajtosh një të varur nga heroina do një kohë të gjatë, ajo varet nga vullneti dhe dëshira e të varurit. Për të shëruar një person, do shumë angazhim dhe shumë mund, dhe kjo mund të arrihet vetëm me vullnetin e përdoruesit. Për mjekët është një sfidë  e vërtetë ata tregojnë përvojën e tyre shumë vjeçare në këtë repart dhe mënyrën se si mund të bëhesh i varur nga droga”, thotë Miçinkov.

Ndryshe, heroina është një lloj droge, që rrjedh nga llogoret e gjethes së opiumit. Opiumi filloi të kultivohej nga qytetërimet antike si Mesopotamia që në vitet 3400 para erës sonë. Opiumi fillimisht u përdor në Egjipt e Persi, dhe nga atje u përhap në Evropë, Indi dhe Kinë. Deri para shekullit të XIX, mjekët në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara nuk e dinin që opiumi përdorej për qëllime terapeutike.

Heroina vetë u sintetizua me sukses në vitin 1874 nga një kimist anglez August Mathienssen, si një alternativë për morfinën. Edhe vetë heroina u konsiderua një drogë që krijonte varësi në SHBA dhe është parë si një ndër më të rrezikshmet e shekullit 20 dhe 21. Ishte e paligjshme të prodhoje, shpërndaje e përdorje heroinë në SHBA që prej Luftës së Dytë Botërore, por droga ka arritur të mbijetojë në tregun e zi, e prodhuar në vende të tjera, duke evoluar në përzierje edhe më të rrezikshme.

Në mbarë botën vlerësohet të jenë deri në 21 milionë përdorues të heroinës në mosha prej 15-64 vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button