Muzika turke në BeH: Rrugëtimi i melodisë nga teqetë në kafene

Muzika turke, e cila rrugëtimin në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) e kishte filluar në teqe në praktikat e dervishëve në të kaluarën, aktualisht paraqet një urë mes dy popujve duke vazhduar të gjallërojë nëpër kafenetë të cilat janë vende të frekuentuara të qytetarëve, shkruan Anadolu Agency (AA).

Meloditë turke, të cilat fillimisht ishin shfaqur në BeH si muzikë sufite në teqet në periudhën osmane, më vonë ndikuan edhe në muzikën popullore boshnjake të quajtur “sevdalinka”. Ndërkaq, sot, meloditë turke përdoren në shumë zhanre të muzikës, që nga ilahitë e deri te muzika pop dhe arabeska, duke vazhduar kështu ndikimin në këtë vend.

Shumë artistë nga BeH frymëzohen nga këngët turke, të cilat i përçojnë në albumet e tyre. Artistët, duke marrë pjesë nga kompozitorët e veprave muzikore në Turqi, në përgjithësi përdorin kompozicionet ashtu siç janë ndërsa tekstin e interpretojnë në gjuhën boshnjake.

Ndërkohë, teksa në BeH ende vazhdon tradita e muzikës sufite në teqe, meloditë e ndryshme të muzikës turke mund të dëgjohen shpesh pothuajse në çdo kafene.

Posaçërisht, kafenetë në Bashçarshinë e Sarajevës kanë tiparin e një qendre ua cila prezenton muzikën turke njerëzve të të gjitha pjesëve të shoqërisë.

“Janë përdorur afër 1000 vepra nga muzika turke”

Burhan Shaban, këngëtari nga Maqedonia i cili jeton në BeH thotë se tradita e muzikës turke në Bosnjë e Hercegovinë ka ardhur nga kultura e tasavvufit dhe teqesë në periudhën osmane dhe se ajo vazhdon edhe sot.

Sipas Shaban, në fund të viteve të 80-ta gjatë periudhës së Jugosllavisë muzikën turke janë përpjekur ta shfaqin me melodi dhe arranzhime të ndryshme.

“Këto meldoi, ilahi, kompozicione i nxorrëm nga teqeja dhe dalëngadalë filluam t’i përodrim në koncerte në ajër të hapur dhe ceremoni. Kjo gjë në njëfarë mënyre është pranuar si reformim kulturor në këto rajone”, theksoi Shaban.

Duke thënë se muzika turke ka ndikim mjaft të madh në Ballkan, Shaban tha se ky ndikim vërehet jo vetëm në muzikën sufite, por në të njëjtën kohë edhe te sevdalinkat.

Ai tregon se edhe sot, shumë artistë në BeH interpretojnë këngët turke duke ndryshuar vetëm tekstin e tyre dhe se një nga muzikantët më të njohur të rajonit, Dino Merlin, është frymëzuar nga muzika turke në disa këngë të tij.

Shaban thotë se edhe ai vetë përdor vepra nga muzika turke në albumet e tij, duke shtuar se deri më sot rreth 1000 vepra muzikore turke janë përdorur në BeH prej të cilave 700 nga muzika sufite.

Posaçërisht ilahitë, nënvizon Shaban, janë tregues i rëndësishëm i dallimit të boshnjakëve nga serbët dhe kroatët. Siç thotë ai, megjithëse mes tri popujve nuk ka dallime të shumta gjuhësore, muzika sufite dhe sevdalinkat janë faktor për vërejtjen e dallimit mes këtyre popujve.

Shaban vlerëson se kohëve të fundit Turqia dhe BeH-ja kanë rindërtuar lidhje në shumë fusha, ashtu siç ka qenë më parë.

“Jo vetëm ushqimet nëpër dyqane, por në të njëjtën kohë edhe muzika si ushqim i shpirtit po vjen në Bosnjë e Hercegovinë”, thekson Shaban, duke shtuar se dëshira e tyre është që brezave të ardhshëm t’u lënë një amanet.

“Besoj se Turqia do të sillet e kujdesshme për sa i përket kësaj çështjeje. Me gjasë, kjo dashuri do të vazhdojë deri në pafundësi”, u shpreh ai.

“Muzika turke është më e afërt me kulturën boshnjake”

Xhelil Mekiç, i cili punon në një kafene në Bashçarshi, thotë se kafeneja në fjalë është vend i cili reflekton kulturën lindore dhe se kur njerëzit dëgjojnë pjesë të gërshetuara me muzikën turke, ndihen të rehatshëm. Sipas tij, muzika turke është më e afërt me kulturën boshnjake, në krahasim me muzikën perëndimore.

Ai shpjegon se klientët e duan muzikën turke dhe se ndonjëherë kanë preferencat e tyre muzikore.

“Në çarshi ka shumë lokale ku luhet muzikë turke. Ndonjëherë, kjo i ngjan kafenesë turke. Ka raste kur njerëzit ndihen sikur ta pijnë kafenë në Turqi. Ndërkaq, ne përpiqemi të mundësojmë një atmosferë të tillë”, thotë Mekiç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button