Sot nis Euro 2012, hapje spektakolare në Varshavë

Kampionati Europian do të startojë sot me një hapje spektakolare në Varshavë, kryeqytetin e Polonisë, në ndeshje Poloni-Greqi në orën 18:00. Këtu shënohet starti për të vijuar për afro një muaj në një aktivitet që do të tërheqë vëmendjen e miliona shikuesve në mbarë Europën dhe që mendohet të jetë një aktivitet më i fortë se sa Kupa e Botës.
 

Formacionet e të gjitha ekipeve janë bërë tashmë të njohura, teksa luajnë në aktivitet pothuajse të gjithë lojtarët më të mirë të planetit. Natyrisht që ka futbollistë nga Amerika Latine, sidomos të Brazilit e Argjentinës që nuk do të jenë, por pjesa më e madhe që u përkasin vendeve me futboll të zhvilluar në Europë janë prezente.
 

Në grupin A, Polonia luan kundër Greqisë ndërsa Rusia përballet me Çekinë. Padyshim që grupi B mbetet grupi i hekurt i këtij Europiani. Gjermania pretendente do të ketë rivalitetin e Portugalisë, Holandës e Danimarkës, ku secila pretendon kualifikimin. Gjermanët shihen më favoritë në grup, por me kundërshtarë të tillë është vështirë të bëhen prognozime.
 

Një grup shumë i fortë është dhe C-ja, ku që në përballjen e parë do të kemi përballjen midis kampionëve në fuqi Spanjës dhe Italisë, që shihen favorite krahasuar me Kroacinë dhe Irlandën që kanë në grup.

Së fundi, në grupin D kemi një tjetër superpërballje midis rivaleve të vjetra e historike në të gjitha aspektet, Francës e Anglisë, teksa vendasit, Ukraina, do të luajë në sfidën hapëse ndaj Suedisë. Sipas vetë specialistëve, grupi më i vështirë është B-ja, ndërsa pretendente për titull shihen deri tani Spanja dhe Gjermania.

Grupi A
08 qershor 2012
Poloni-Greqi 18:00
Rusi-Çeki 20:45

Grupi B
09 qershor 2012
Holandë-Danimarkë 18:00
Gjermani-Portugali 20:45

Grupi C
10 qershor 2012
Spanjë-Itali 18:00
Irlandë-Kroaci 20:45

Grupi D
11 qershor 2012
Francë-Angli 18:00
Ukrainë-Suedi 20:45

Lajme të ngjashme

Back to top button