fbpx

Edhe deputetja Besa Baftiu heq dorë nga pozitat udhëheqëse në VV

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Besa Baftiu, ka dhënë dorëheqje nga pozitat udhëheqëse brenda Vetëvendosjes, duke përcjellur kështu një numër jo të vogël të kolegëve të saj partiakë, njofton Klan Kosova.

“Të dashur anëtarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Gjilan, me keqardhje më duhet t’ju njoftojë se që nga sot kam marrë vendim të dorëhiqem nga pozicioni i Kryetares së Qendrës të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan dhe nga Këshilli i Përgjithshëm”, ka shkruar Baftiu në Facebook.

“Kam dashur ta japë dorëheqjen time nga pozita e kryetares së Qendrës qysh pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, me ç’rast në Gjilan dolëm me një rezultat aspak të kënaqshëm, por heshta për shkak dolën në publik mosmarrëveshjet e fundit në nivelin qendror, duke mos dashur që dorëheqja ime të ndikojë edhe më shumë në situatën e rëndë të krijuar në organizatë” .

“Gjatë angazhimit tim kam kuptuar se edhe brenda organizatës sonë ishin afruar individë me një mendësi që promovon të kundërtën e asaj që promovon publikisht Vetëvendosja. Një gjë e tillë, në raste të ndryshme është bërë pengesë e diskutimeve të sinqerta e parimore dhe për më keq ka ndikuar negativisht në vendimmarrjen dhe demokracinë e brendshme”.

“Manifestimi më i vrazhdë i kësaj është hasur pas humbjes në zgjedhjet e fundit lokale në Gjilan, ku në vend që të reflektonim bashkërisht, të njëjtit njerëz filluan të promovonin edhe më shumë gjuhën e përçarjes, duke sajuar akuza e shpifje të pabaza në drejtim të individëve të caktuar për sabotim të zgjedhjeve”.

“Shfaqja e problemit në nivel qendror përkeqësoi edhe më shumë gjendjen në Qendrën e Gjilanit, duke shkaktuar zhgënjim të madh dhe duke dëmtuar tepër shumë besimin e aktivistëve. Gjatë kësaj periudhe, në vend që të kontribuohej për zgjidhjen e problemit dhe për unifikim, individët e njëjtë me mendësi përçarëse kontribuan për të kundërtën”.

“Në vend që të hapej debati për të ardhmen e organizatës, përpjekja për ta mbytur kritikën dhe reflektimin e domosdoshëm, bashkë me gjuhën akuzuese e me tendenca dashakeqe u rritën. Kësisoj, gjatë kësaj kohe kemi parë fushatë të egër linçuese ndaj gjithë atyre që shprehnin pakënaqësi me gjendjen e krijuar, duke dëshmuar se brenda organizatës po i hapej rrugë një mendësie të rrezikshme totalitare, e cila nuk duron kritikën dhe mendimin ndryshe”.

“Personalisht, jam munduar që të japë kontribut për aq sa kam pasur hapësirë për të mos lejuar një gjë të tillë, duke dashur të ruhen vlerat që i kemi promovuar në vazhdimësi, por tashmë një gjë e tillë më duket e pamundur. Sidomos pasi që përgjatë kësaj kohe, nuk kam parë vullnet as tek Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, që ta parandalojë këtë lloj mendësie që i kanosej organizatës dhe e cila duket se po zë vend brenda saj”.

“Për këtë arsye, duke iu falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, nga sot jap dorëheqjen time nga gjitha funksionet në organizatë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button