“Volpone”, komedia që sonte mbushi sallën në Shtëpinë e Kulturës në Tetovë (VIDEO)

Të gjithë përballemi me “Volpone”-t apo dhelprat, dikush më shumë e dikush më pak. Të gjithë padyshim njohim dhe parazitët-mizat e kalit, korbat, sorrat dhe bushtrat. Por, ama, ata të komedisë të shfaqur sonte në Teatrin e Tetovës duhet të shkoni vet t’i shihni. Në reprizën e ardhme, kuptohet.

Laramania e karaktereve e gërshetuar me kostume interesante, do t’ju kënaqë, jam e bindur. Do të qeshni shpesh, sepse i dini dhe ju shumë mirë situatat e krijuara në skenë. Po duket se aktorët janë mishëruar me profesionalizëm me rolet e tyre në tekstin e shkruar që në të largëtën 1666. Mbase dhe ndoshta do të dukeshin ende më mirë në kushte më të mira se kjo e Shtëpisë së Vjetër të Kulturës në Tetovë. Por, për këtë, na thonë se ne tetovarët do të jemi të kënaqur në vitin 2020, me objektin e ri. Kur kemi pritur deri më tani, hajt më…

Regjisori Sulejman Rushiti në premierën e komedisë e mbushi sallën. I lumtë i themi.

Dhe vetë ishte i kënaqur, duke falënderuar aktorët dha një deklaratë për Portalbin.

“Jam i lumtur që vepra u prit me shumë spektatorë, ashtu siç ne kishim pritur. Aktorët me sukses e përçuan mesazhin e veprës e cila ishte vënë mbi supet e tyre dhe jo të veprave të tjera përcjellëse. Me repriza sigurisht do të ketë më shumë fluiditet sepse aktorët për herë të parë luajnë atë dhe emocionet i pengojnë ata.” u shpreh ai.

“Volpone” nëpërmjet aktorëve Arsim Kaleci, Elmir Sejfullai, Argjend Hasani, Hasim Memishi, Shkumbin Zeqiri, Berat Saliu, Sami Mustafa, Linda Shabani, Elmedina Ameti dhe Lorean Rushiti me një briliancë trajtoi çështjen e lakmisë, grykësisë së njerëzve.

“Ishte sfidë të punosh me aktorët si dhe të mendosh sa do ti përshtaten rolit si dhe sa publiku do të merr porosinë. Por ishte kënaqësi” shprehet më tej, Rushiti.

“Volpone” ka aktorë me tipare kafshërore e që humbasin arsyen nga dashuria për të gllabëruar, për të grabitur, për para. Ata shesin veten dhe të dashurit e tyre!

I pyetur nga Portalb.mk se pse ai në fund thotë “Ndiqni lajmet dhe do ta shihni fatin e parazitit”, Rushiti thotë se, mes tjerash, e ka për të hapur debat, sepse sipas tij, këtë punë e ka teatri.

“Teatri duhet të hap debat, në shfaqe mund të shihni ciklin e jetës, pikërisht për të cilën unë jam përcaktuar që ta vë në skenë Volponen, teksti origjinal që është shkruar 1666 dhe pastaj është përpunuar dhe ri-shkruar nga Shtefan Cvajg në vitet e 80-ta. Por ai është aktual dhe universal për shkak se lakmia dhe grykësia nuk janë të panjohura edhe te ne.” tha Rushiti.

Aktorët e “Volpone”-s u shfaqën në skenë me tekstin e përkthyer nga Artur Lena, me asistent regjie të Linda Shabanit dhe me kostumet e përgatitura nga Ines Golja. Dhe ishin shumë të mirë! Duhet ta shihni këtë komedi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button