Japonia konfirmon mbështetjen për Kosovën

Kryeministri Hashim Thaçi në ditën e dytë të vizitës së tij në Japoni takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, Koichiro Gemba, ndërkaq ky i fundit konfirmoi përkrahjen e Qeverisë japoneze, duke shprehur mbështetjen e plotë për Kosovën dhe vizionin e saj për anëtarësim në BE dhe në NATO.

Gjatë takimit, Thaçi falënderoi ministrin Gemba për përkrahjen që Japonia po i jep Kosovës në mënyrë të vazhdueshme . 

“Japonia është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe është ndër shtetet që kanë ndihmuar më së shumti Republikën e Kosovës që nga përfundimi i luftës e deri më sot”, theksoi Kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Kosovës vuri theks të veçantë në thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Japonisë në fushën e ekonomisë, bujqësisë, shkencës, arsimit dhe kulturës.

Ai tha se tani është momenti i duhur për avancimin e raporteve tona ndërshtetërore duke e përqendruar bashkëpunimin në aspektin ekonomik dhe atë tregtar.

Ndërkaq ministri i Jashtëm i Japonisë, tha se shteti i tij ndihet krenare që ka ndihmuar popullin e Kosovës dhe do të vazhdoj të bëjë një gjë të tillë edhe në të ardhmen.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u takua edhe me zëvendësministrin Parlamentar të Punëve të Jashtme, Kazuyuki Hamada.

Thaçi është takuar edhe me Akihiko Tanaka, president i Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), me ç’rast kërkoi që mbështetja e Japonisë të kalojë nga faza e asistencës financiare dhe profesionale në fazën e investimeve dhe zhvillimit ekonomik. /Telegrafi/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button