Ballafaqim i drejtpërdrejtë me personazhin tim

Në këtë situatë me hipertrofi të rëndë e të pa përgjegjshme intelektuale, na doli në skenë edhe performansa artistike e nivelit më të skaduar shoqëror. Dhe pas këtij tensioni të gjatë e të ngritur, dolën edhe ato shëmti tjera snobiste të interesit kulturor të ulët, që grumbullojnë individ ters në Pension, për qëllim manipulimi e shfrytëzim të keq kohor në sistem. Kjo situatë e nderë, shpërtheu kështu keq dhe vërshueshëm një decenie të gjatë. Ky standard erdh nga krijimi i rrethanave të rënda politike e kulturore disa vjeçare. Tani shumë gjëra të vrazhda duken ashiqare në skenë, ato duken si blanë e zezë nëpër veprime dhe nëpër sytë e njerëzve kureshtar të kësaj ane, që, tanimë, nuk kanë edhe fuqi se si ta mbanë, si ta drejton pozitivisht këtë timon të jetës dhe të kulturës në vend. Ka dezintegrime të mëdha e nivele të shumëllojshme vlerash shoqërore. Kam thënë njëherë dhe përsëri tani po them se tipikja sot bëhet atipike dhe atipikja bëhet tipike, nga rrethanat e ndërlikuara të kohës dhe politikës vepruese. Bota kulturore është e ngarkuar me skandale të pa para deri më tani. Në skenë dalin promovime vlerash të improvizuara, gjoja se bëhen vlerësime elitare dhe me nivel të lartë artistik. E keqja nuk ka fund, ka marrë përmasë të shëmtuar të formalitetit jetësor. Të lodhin disa kritikues të sistemit, që ata vet me veprimet dhe qasjet e tyre kulturore të keqpërdorura nëpër vende pune, janë bërë për t’u kritikuar. Ata nuk duan ta shohin veten dhe veprimin e tyre se janë bashkëpunëtorë të së shëmtuarës jetësore. Këta individ janë në gjendje të keqpërdorin çdo gjë që është shoqërore. Të tillët më pak kanë të drejtë të kritikojnë, se para njerëzve duken si karikatura të lodhshme.

Neve, para së gjithash, na duhet një përkushtim dhe dinjitet njerëzor serioz, për ta hetuar dhe ndërtuar të vërtetën ekzistuese si duhet, pastaj do të mundnim të kërkonim vlera të mirëfillta. Çka është kjo mundësi e dhënë, që për çdo vit të botosh nga dy tri vepra? Nga na dolën kaq shpejtë këta gjeni të kohës sonë, që ia zënë frymën ministrisë së kulturës? Të nderuar shikoni biografinë Dritërosë, Kadaresë, e ndonjë tjetër si këta të ndritur, a kanë botua vepra për çdo vit? Kurse këta ‘’gjenitë tanë’’, janë duke bërë namin me prurjet e tyre ‘’reja’’, në sferën e kulturës dhe shkencës. Prandaj nga këta ‘’talent të mëdhenj të kohës sonë’’, e shohim se edhe shoqëria ka’’ përparuar’’ shumë. Nuk jemi rastësisht në këtë gjendje të çoroditur!

Në këto rrethana kulturore shqetësuese, të kohës sonë, u shfaq edhe personazhi im i vendosur në Pension. Mua më kapi përgjegjësia kreative të merrem me të dhe me qëndrimin e tij të përkushtuar politik e kulturor, mu për shkak të asaj vetie të veçantë, që dallohet shumë nga të tjerët, edhe pse tani ai është një personazh i tipizuar e i kurdisur mirë për vendin dhe kohën e duhur. Ai ka njohuri të shumta për rrethin dhe gjërat që ndodhin te ne. Personazhi gjendet para nesh dhe, bile tani, mu përballë syve të mi kureshtar, që janë të përqendruar në mënyrë fanatike në ndjekjen e fenomene jetësore. Unë e vërej atë se si lëviz, si ecën, nëpër cilin shteg hulumtues e kalon ekzistencën e të mbijetuarit qenësor. Kurse qëndrimi i tij, i vetmuar dhe i distancuar nga të tjerët, shfaq përmasën bindëse të një individualisti të përkushtuar dhe serioz. Dhe, tanimë, shqetësimi im për të, si tip i veçantë i kohës atipike, vjen dukshëm duke u qartësuar edhe më shumë në mua, bashkë me të gjitha ato ndodhitë e shumta sistemore të salduara në shoqëri demokratike.

Personazhi im u lind në vjeshtën e vonshme, pas vitit 81. Në atë kohë, kur erdhi në jetë, ky njeri, si fëmijë i pestë i familjes, binte shi pa ndërprerë në qytet. Koha dukej e mugët, vendi rëndohej keq, me të reshurat e bubullimat e stërzgjatura të asaj stine befasuese. Klima e krijuar linte përshtypjen e kthesave të mëdha shoqërore. Kjo atmosferë do të vazhdonte gjatë tërë muajit. Jeta ishte e ngarkuar me turbullira dhe mjegullnaja të mëdha politike. Natyra e zymtë e kohës dhe e ngjarjeve tronditëse, e fuste  njeriun e asaj stine të ankthshme në nxitje dyshimesh dhe në meditime të një pas njëshme. Pastaj, pas këtyre rrethanave të ngujuara shoqërore politike, na u dalldisën nëpër kokë edhe motive tjera individuale, të kërkimit të lirisë, të kërkimit të së vërtetës matanë kërkesave të shumta shqetësuese njerëzore, por që ishin kërkesa sublime shoqërore, e që murmurisin ankthshëm dhe vrullshëm nëpër ne, si kundërshti e fërkime idesh të nevojshme nëpër kujtesë. Gjërat globale kthehen në shkaqe të pjesërishme. Pra, aty vendoseshin gjërat me rëndësi të mëdha shoqërore, ato gjëra që ishin koordinuar mirë, në një pikë të caktuar të rrjedhës së shqyrtimit dhe gjykimit personal të veçantë, gjegjësisht mu aty ku lidhej nyje interesi i madh shoqëror, legal, i përfitimit apo edhe mashtrimit njerëzor. Por çdo gjë legale e atëhershme nuk mund të bëhej tërësisht legjitime. Legjitime bëhet në jetë, ajo veti karakteri çka na takon vetëm neve si njerëz, si individua, në thellësinë e këtij kozmosi të pakufishëm. Kështu na mëson koha dhe jeta, kur përballemi me shumë fenomene të dukshme dhe me të vërtetat e verifikuara në shoqëri, gjatë kalimit të kohës dhe jetës në këtë botë.

Personazh që i takon kohës më të re, është Indigo – fëmijë. I takon sistemit më të ri, të digjitalizuar. Në trupin e tij ka të tatuazhuar një energji mjaftë të sublime, për një teknologji më të re shërbyese, jetësore. Por ky Indigo njeri, i ri, është edhe i sofistikuar në mënyrë fanatike me ca mesazhe pozitive, të orientuara spontanisht për jetën e së ardhmes së këtij vendi. Ai ka një dhunti kreativiteti të posaçëm në vete dhe kjo mund të dallohet lehtë po qe se përcillet me vëmendje e kureshtje.‘’Aura’’ e tij sfiduese dhe shpresëdhënëse në shoqëri, shpërndahet përmes rrezeve të tij, përmes atyre rrezeve reflektuese që ngrohin diellin në qiell të kthjellët. Ai madje ndriçon ide ezoterike njerëzore, me për masë të gjerë kuptimi dhe ndikimi. Sytë i ka të kthjellët si qielli. I lëviz gjërat për rreth tij me një parandjenjë dhe shkathtësi të fortë spiritualiteti. Edhe pse vëzhgimin e ka të thellë, mund të vërehet se nuk është dalltonist. Jetën e kupton përmes ngjyrave dhe nuancave, dhe përmes shumë dimensioneve tjera kuptimore kulturore, të shfaqura me shije e sens. Dhe këto kolorite siluetash e hijesh shoqërore, ai, i përvetëson mirë ato dhe u jep kuptim deshifrues, nëpër efekte të shumta situatash. Ai i kap të gjitha ato përmasa dalluese të toneve të harmonizuara dhe të ngjyrave që ia jep jeta, kur ato veçanti të dukshme, tanimë, shpërngulen spontanisht dhe lehtësisht nëpër imazhe e fakte ndryshme minimale. Personazhi im, përqasjen e tij para botës e bën me thërrmijat më efektive dhe më elementare njerëzore, të cilat thërrmija sot kanë ndikime maksimale nëpër thellësitë politike të kohës, ku pastaj ato detyrime kushtetuese të shëmbëllejnë qëndrueshëm, si forma të derdhura peformancash jetësore, ndikuese dhe me kuptim të thellë. Ngandonjëherë ai bëhet edhe ekstremist i mendimit eksperimental, që këto qasje më në fund të dallohen njëra prej tjetrës nga mënyra e perceptimit të situatës.

Personazhi im është i çiltër në ndjenja dhe nuk e ka sherrin më të madh se dijen. Është i hapur në vlerësimin e gjërave. Nuk është i korruptuar nga ndjenjat lakmuese të rrethit. Nuk është as komandat i patetizmit rrënues në art. Gjatë të meditimit kreativ dhe artistik nuk bën selfie dhe belfie, kryesisht ai nuk i vjedh shprehjet huaja, ka kujdes të madh nga plagjiaturat vërshuese të kohës dhe të rendit të ri e sipërfaqësor. Dashurinë e ka të matur. Sidomos nga citatet e ngarkuara në tekst dhe intertekstualitet të imponuar. Personazhi im do që këtë ndjenjë kulture të brishtë shoqërore, që dominon tani në Pension, ta hedhë në kontejnerët e harresës. Ka rezerva për postmodernizmin e kohës dhe stërzgjatjen e tij nëpër këto përmasa të këqija kultivimi, sepse forma e tyre arnuese, e madhe, sot, ia ka gërditur imazhin perceptimit nëpër ngjeshje mendimesh të shkëputura nga syzhetë kuptimplote. Sidomos ka alergji të dukshme ndaj shabllonizmit të trajtuar nga të tjerët. Këndvështrimi i tij hulumtues, është i bazuar në stil dhe shkencë të mirëfilltë. Informatat e sakta i merr prej shkencëtarëve që kanë lënë gjurmë të thella shkencore, nëpër analet e vlerësuara shkrimore të historisë. Nuk e emiton Borhersin, siç e emitojnë disa të tjerë në mënyrë vulgare dhe deri në monotoni të lodhshme e të gërditshme. E urren snobizmin dhe kapadaillëkun e trashëguar të të tjerëve. Ai është individualist i përbetuar. Andergraund. Nuk dalldiset pas Zhak Preverit dhe Bodlerit, Çarls Bukovskit. Cigaren dhe alkoolin rreptësisht e ka të ndaluar, por nuk është Jehovist edhe pse i ka dëgjuar ligjëratat e shumta të këtij sekti të ri, të shfaqur, tanimë, në planetin tonë. Ai nuk shtiret. Nuk e do deklarativizmin në art. Është luftëtarë i pa kompromis për të vërtetën, por ai ka edhe një urtësi dhe mani të qëndrueshme për sendet e rralla, është i lidhur marrëzisht për to, dhe kjo veti e ndjenjë e mban peng dhe e dallon shumë nga të tjerët. Ky personazh nuk shkon përpara me tymnajë mendimesh politike, të stërthënë e të përsëritura shumë herë në kohë, dhe për të vërtetën e besueshme nuk futet me krye në boks kiçi. Ai e ka tërë globin në duar. Mundohet ta eksperimentoj kohën dhe realitetin në mënyrë liberale, mu nga këndi i tij i preferuar, hulumtues, në punëtorinë e gjerë kreative. Nga moskuptimet dhe trajtimet e tij, shumë herë izolohet në vete, por keqtrajtohet nga të tjerët që e duan kallaballëkun dhe tollovinë. Gjithnjë mbetet i vetmuar në ndërmarrje idesh. Por, ai pret shumë kohë që t’i vij diçka e ndritur në kokë, si frymëzim adekuat i temës për ta dalluar dritën nga errësira, të bukurën nga e shëmtuara, të voglën nga e madhërishmja. Vetëm atëherë kur e ndjenë veten të sigurt, se është diçka e plotë estetikisht, fillon të veprojë e reagoj shtruar më tej atyre mangësive të dukshme shoqërore, në dallimin e gjërave të veçanta dhe të posaçme, përballë vetes dhe të tjerëve. Mundohet t’i bëjë hapat e duhur në jetë. I jep dritë qiellit artistik me sinqeritetin më të madh. Hija e tij i zvarritet prapa si lugat. Me mund kapet fortë për ato rreze të ndriçuara të përvojës së verifikuar. Di të mbrohet mirë në ring të kohës, kur përplasen mendimet shtruara në arenë debatesh. Ai ta merr dhe ta jep frymëzimin real kur të dojë. Gjërat i thotë troç, pa u stërkequr dhe hamendur me domethëniet e tyre bindëse. Ai ka bagazh dijesh të verifikuar. Personazhi im mendon kthjellët dhe drejtë, për kohën që i del përpara si risi. Flet pa dorëza, kur përballet me argumentet. E do Oshon, por jo deri në vardisje e monotoni të skajshme, të përhumbjes së tij, në imagjinatë të lodhshme dhe të gjatë. Nuk u ngjan sekserëve të kohës më të re, që përherë ndërmjetësojnë shërim akut të shijes në klinikën e klimës politike e kulturore, me afat qëndrimi të brishtë. Ky personazh bëhet i dukshëm dhe i padukshëm nëpër raste të caktuara veprimi. Jeton në këtë qytet mikrokozmos të zhurmshëm, por e di se ky metropol urban kulturor i ngushtuar keq, rrenat, dhe nga jo arti i mirëfilltë, në mëhallë mburrjesh të skajshme, e që është kthyer tani në një konstrukt kontejneri global, të interesit të vogël kulturor, ku ngërthen në vete edhe shumë kundërshti e anomali tjera jetësore, që janë shumë të njohura deri më tani, e që në arenë kohe quhen: padrejtësi, shpifje, shtirje, trillimimprovizim, nepotizëm dhe vrasje të gjërave të vërteta. Kohën nuk do që ta mbajë peng. E kupton mirë lëvizjen e saj, e di se çdo gjë sot kamuflohet maksimalisht, për t’u dukur formalisht në skenë, duke harxhuar sa më shumë ndjenja dhe energji në formë joreale, prandaj ai kërkon shpalimin dhe zbulimin e gjerave ashtu siç janë kurdisur në realitet. Ato i merr me kriter dhe thellësi të duhur spiritualiteti. Nuk ha çdo ushqim që i servohet përpara. Është vegjetarian dhe ka kujdes në shijimin e gjërave që gjenden përballë tij. E di mirë se duke u menduar të mençurit budallenjtë i kryejnë punët, ashtu siç i kryejnë apo e siç i zbatojnë sot klanet dallaveret e tyre të liga, nëpër grupe, në shoqëri…

Kështu në këtë formë të realë ndërtohej arkitektura shpirtërore e morale e këtij njeriu të veçantë. Ndaj para syve dhe mendjes së të tij ka shumë gjëra të vlefshme, që duhet pasur vëmendje dhe ndjekur me kujdes, se ai është i pa helmuar nga veset e ndyra, të cilat po të ishin të helmuara, me rrezatimet e tyre të shumta do të bënin klimën e acartë të qytetit të ashpër. Mu në këtë vend që ka në samarin e vet të ngarkuara paradigma të shumta moskuptimesh shoqërore. Se vendi nga këto rrethana nuk është i liruar ende, por mbanë peng kohën dhe të gjitha shkaqet tjera dyshuese të manipulimit, kryesisht duke shtruar paragjykime të shumta midis atij dhe të tjerëve që gjenden aty. Nga ata të tjerët që mundohen t’ia pengojnë rrugëtimin e tij të veçantë, të vendosur si bërthamë të vlefshme në kokë, për një jetë ndryshe dhe më komode. Personazhi im fatin e ka marrë në duart e veta, prandaj të jetuarit qetë, si individualist, tani për tani, në këtë qytet jo liberal, është rënde dhe e pamundur për të. Dhe nga kjo tollovi e dukshme kulturore, i dalin përpara shumë fenomene të rënda dhe jashtëzakonisht të vështira,  për t’i trajtuar e menaxhuar gjërat si duhet.

Ju lexues, them kështu, nëse ne kemi ndonjë lexues këtej pari dhe nëse marrin pjesë në këtë glob të trishtueshëm, që më përcjell mua të bezdisshmin e letrave të shkruara, ashtu siç e përcjell unë personazhin tim, nuk e di se në çfarë emocioni transferues shpirtëror jeni tani të pranishëm e të përgatitur, në këto situata të pa pritura jete e kohe, ku dinamika e jetës është shumë e shpejtë. Ju duhet të keni parasysh durimin dhe besimin e duhur në këtë përballje shkrimore, të gjendjes së rëndë të shoqërisë së sotme, për shfletimin e fenomeneve të trishta nëpër mëhallë kulture, që ka rrethuar mbrapsht këtë vend të mrekullueshëm. Se këtu nuk ka më orar e ortografi të fiksuar e bindjeje normale, për ta kuptuar tërësisht personazhin tim. Jetojmë në një kohë post-moderne, që nuk lëshon pe, të daljes lehtë në skenë, mu nga ky digjitalizim i sofistikuar i shpejtë, midis grilave dhe gjërave të shumta e të preferuara nga kodet e fshehtësive figurative të shumta.

Këtu në këtë vend bëhen ndryshime radikale të mëdha, bëhen renditje privilegjesh e vlerash të pa kriter e pa harmoni. Askushi bëhet dikushi dhe dikush bëhet askush. Ky refren monoton e i përditshëm, për personazhit tim dhe mua,  na vjen prapa, si hije dhe magji frymëzuese, për t’i parë gjërat ndryshe dhe më kthjellët. Çdo gjë mund të ndodh brenda disa sekondave të ardhshme. Nuk duhet të befasohemi ju që na përcillni vëmendshëm. Ne jemi dy subjekte të pa ndara, personazhi dhe unë që përcjellim njëri-tjetrin, njihemi gjatë kohë. Nuk e di sa mund të na kuptoni ju që jeni të pranishëm në kohën tonë. Çdo gjë ndryshon para syve dhe para neve të gjithëve, Mund të ketë tërmet, cunami, ‘’Stuhi dhe vrull’’. Mund të ngrihet Fausti Gëtes lugat nga varri. Tema dhe motivi i frymëzimit mund të zgjatet në pakufi. Djathtisti bëhet majtist, e majtisti bëhet djathtist i sofistikuar me gërhima politike ballkanike të rënda. Kështu ndërtohet gërditshëm demokracia te ne. Nuk di edhe çka tjetër mund të na befasoj në këtë kohë të acartë. Të hamë kokainë në vend të bananeve të Kollumbisë. Lidhjet dhe kontratat na  i bëjnë të tjerët, ne mbytemi në të….

Të nderuar lexues! Më shumë, për emrin e  këtij personazhi, do të njoftoheni më vonë. Ai nuk ka lidhje as me ndodhitë më të reja e më të mëdha të ‘’Panama Papers’’, që veprojnë tanimë në opinion të gjerë, si skandal aktual politik e ekonomik i rëndë, apo si sajesë e ndriçuar e kohës korruptuar nga hajnat legal të shteteve të konfirmuara për skandale ekonomike të shumta dhe që kanë lidhje ndikuese 40 vjeçare midis vetes. Sidomos që kanë qasje me ato parajsat fiskale të përfitimit të fshehtë, por që lejon edhe tani rastet, të bëhen individ të pasur, pa pikën e djersës. Personazhi im nuk është i përzier në këtë punë të fëlliqët korrupsioni, por ka informacion e sakta për këto subjekte që u ikin tatimeve në mënyrë legale. Dosja e kësaj korporate të madhe e të ndërlikuar, kap peng shumë shtete e njerëz të përlyer me transaksionet e shumë individëve dhe firmave nëpër vende të ndryshme të botës, të cilat firma e individ tanimë ndërtohen me këtë yrnek e kulture të vrazhdë, sidomos  me ekspert të sofistikuar të dijes profesionale bankare, por që kanë ndërlidhur tani ashiqare njëzet e një mijë kompani të varura njëra me tjetrën, me aksione të shumta nëpër botë. Aty janë të implikuar me rrjedha bankare e aksionare edhe shumë politikan e artistë, shtetesh të ndryshme të këtij globi. Këto janë fenomene befasuese për qytetarin tonë, që nuk mund t’i kuptoj lehtë ndryshimet radikale të botës.

Personazhi im nuk mund të kalojë kohën pa i vërejtur dhe nxjerrë në skenë këto ndodhi skandaloze. As mund të qëndroj heshtur dhe anësh, për largimin dhe polarizimin e tyre, që duan të bëjnë disa shtete në zgjedhjet presendeciale dhe nacionale në këtë rruzull tokësor. Ai nuk i duron as rrenat e Marine Le Penit, duke ua shurdhuar veshin, njerëzve, me racizëm, me vite të tëra, ‘’ mu në rrethin magjik të presidencës së saj’’, sidomos  në angazhimin e saj të lakmuar në Frontit Nacional të Fracës, që, tanimë, është edhe akuzuar, se ka ngritur me veprimet e saja edhe një sistem tjetër ‘’offshore të sofistikuar’’, në kuadër të Panama Papers. Dhe në këtë skandale është përlyer drejtpërdrejtë edhe Jean-Mariene Le Pen. Sipas gazetës Le Monde një pjesë të pasurisë së njohur si ‘’thesar’’është bazë themeluese e Frontit Nacion, të krijuar në Karaibe, e që është fshehur nëpërmjet shoqërisë offshore Bolerton Marketing Limited.

Sipas personazhit tim, në këtë sistem të koduar interesash janë të pranishme edhe kartëmonedha dhe shufra tjera ari të shumta, të cilat përbëjnë ‘’thesarin e fshehtë’’ nën emrin Gerald Gerin. Personazhi im i ka lexuar dhe deshifruar shumë mirë këto të dhëna të shumta, që kanë bazat e veprimit të fshehtë dhe legal në shoqëri. Ato janë faktet e dëshmuara nga Monssack Monseca, si avokaturë ekzistuese e Panamasë, e cila si e tillë, daton dhe vepron me punën e saj që nga viti 1970, dhe kjo fshehtësi e këtij mileniumi, duket se vjen në opinion, sipas të dhënave të gazetës prestigjioze ‘’Suddeutsche Zeitung’’.

Kur u formuan këto korporata, personazhi im, ende nuk ka qenë i lindur. Ka pasur të tjerë që kanë lindur pas këtij viti dhe ndoshta janë mësuar me këtë formë korruptimi masiv, si ves për t’u pasuruar, dhe tani të minimalizuar keq në mëhallë demokracie të brishtë, të të jetuarit rrejshëm në shoqëri, pa talent dhe pa tatim vlerash kulturore në sistem, që krijojnë standard kulture të përgjithshme e zhgënjyese në qytet. Pa menduar se një ditë do të zbulohen të gjitha kodet dhe fshehtësitë e vjedhjes së tyre legale, dhe të ngritjes së tyre intelektuale,sidomos të atyre gjërave shkrimore të ulëta. Të atyre gjërave uzurpuese dhe shfrytëzuese pa vlerë në sistem.

Por dihet se të gjitha fshehtësitë zbulohen njëherë në jetë. Megjithatë, pas shumë vështirësive që i dalin në jetë, personazhi im, i ka përcjellë dhe tejkaluar të gjitha këto të dhëna sekrete, për këto skandale të mëdha ekonomike, botërore, dhe ai e di mirë se këto ndodhi dhe shumë afera tjera janë të lidhur si nyje gordiane e interesit edhe me shumë shtete dhe individë të Ballkanit, prandaj ky territor, edhe sot e kësaj dite, ngërthen turbullira dhe anomali të shumta që nuk kanë zgjidhje afatgjate. Personazhi im nuk e lakmon në këtë zinxhirë të gjatë korruptimi masiv, të keqpërdorimit sistemor të larjes dhe shpëlarjeve të parave dhe trurit të njeriut nëpër botë. Personazhi im nuk ka lidhje interesi me këto përfitime materiale, por di të gjykoj drejt dhe hapur këto afera skandaloze, që janë në ndikim të keq në kulturën dhe ngritjen e vetëdijes së njeriut të sotëm. Dhe nuk janë aq misterioze këto lëvizje të shëmtuara njerëzore, sa për të mos kuptuar qëllimin e ekzistencës së tyre, të cilat përmbysin keq e pa kujtuar qenien, por edhe atë kënaqësinë e rrejshme shoqërore. Personazhi im është i vetmuar në këto qasjeje. Ai lufton për një botë më të mirë, për një rend funksionimi më të pranueshëm për të gjithë. Globalizmi dhe teknologjia e sofistikuar e ka vërvitur atë dhe të gjithë njerëzit tjerë të lirë që mendojnë së paku si ai, nëpër këto mundësi të njohjes së gjithanshme shoqërore. Pas gjithë kësaj masakre ekonomike duhet pasur kujdes dhe vëmendje të shëndoshë në veprim, për t’i kuptuar të gjitha këto abortime dhe ndodhi të rëndësishme të botës. Gjithashtu duhet të kihet kujdes se si rrotullohet globi, tanimë, nëpër duart tona. Si bëhet vetingu dhe drejtësia për ndërgjegjësimin e shoqërisë të këtij rajoni.

Personazhi im, sipas këtyre të dhënave, nuk është i izoluar vetëm me ngjarjet e provincës, ku jeton përkohësisht, por ai shkon edhe më tej hapësirës së kufizuar territoriale të të vepruarit. Në trurin e tij nuk ka demarkacion gjeografik të kufizuar atdhetarie. Gjërat strategjike i mat me milimetra kuptimi. Risitë i nuhat bindshëm dhe jashtë sistemit nervor të të tjerëve, që pretendojnë hegjemoni të përhershme dhe të rrejshme kulturore mbi të. Ai është i mbushur me dije të verifikuar, nga informacione e shumta që i vijnë nga të gjitha anët e botës, por megjithatë, informatat bazë i ka të sistemuar mirë nga vendi dhe koha e tij. Nuk e lëviz asgjë qëndrimin e tij konsekuent për të krijuar botën dhe bindjen e tij të vërtetë për jetën dhe njerëzit. Atë nuk e trembin më, as përgjimet e sotme që sjellin konfrontime skandaloze bombash politike të shumta në arenë konfrontimesh të shumta. Ai ka bindjen e tij. Dëshminë e ka dhënë shumë herët nëpër seminare e institute të njohura kombëtare e ndërkombëtare. Absolutisht dhe vëmendshëm ka marrë pjesë nëpër institute të vërteta shkencore në Lebcing, Shtudgard, Mynhen, Zurih e Basel. Nuk ia bën syri ‘’pët’’ nga të vërtetat dhe të papriturat e informacioneve që mund t’i përplasen në adresë të tij, gjatë rrugëtimit të politikbërjes dhe shpalimit të së vërtetës shkencore, gjithandej shtigjeve të kërkuara të jetës. Ai ka kondicion durimi të gjatë. Ai është fëmija më i kërkuar refugjatë i kohës së ndjenjave të njerëzore të çiltra, por që ka gjetur tani strehim të papritur edhe në kujtesën time. Ka marrë informacion mediatik të shëndosh nga gruaja më e fortë të kontinentit, Angela Merkell, e cila në një moment ishte e mbërthyer rëndë me refugjatë, të dalë nga luftërat e tmerrshme, por që i çmon individualistët e vërtetë.

Personazhi im banon në dhomën numër 4 të Pensionit, që gjendet përballë dhomës numër 1, mu në katin e dytë, ku është vendosur edhe plaku Hamza. Por nga kjo turbullirë kulture shqetësuese, mbeti tani pa një rahati në vete, mbeti se donte vëmendshëm t’i zbulojë të gjitha fshehtësitë e kamufluara të jetës enigmatike shpirtërore artistike në vend,

Dhe ai qëndroi i papërkulur aty, nëpër këto ditë të vështira politike njerëzore, ‘’duke pritur Godonë’’,  mu në oborrin kulturor të brishtë e të zëshëm, ku hingëllonte çuditshëm dhe pa ndalë, Mëzi i Lajkes……

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. I nderuari Remzi, ju thoni “se tipikja sot bëhet atipike dhe atipikja bëhet tipike, nga rrethanat e ndërlikuara të kohës dhe politikës vepruese”, e unë do të thosha se vlera sot ka humbur si flluskat e dëborës që shkrihen në pëllëmbë të dorës. Fatkeqësisht, por ju keni të drejtë që ashtu shpreheni, sepse personazhet tuaj të imagjinuar sot janë të përkëdhelurit e sistemeve dhe “yje” të këtij nënqielli, sepse, ata e vetëm ata, janë poetë me vlera të larta artistike, me kulturë të gjerë, dhe se çdokush tjetër që tenton të shkruajë vargje, do të nënçmohet e do të nënvlerësohet gjer në atë shkallë sa më të mos guxojë ta shkruajë as edhe një varg. Por, “Yjet” e nënqiellit tonë, që vlerën ua rrisin kritikët e pa vlerë, që sot mbisundojnë tek ne, dhe se për një kafe apo për pak para të ngrenë gjer në qiell, sikur të jesh aq I madh dhe me krijimet tuaja të arrish vlerat e një poeti më me famë botërore, bile edhe ua tejkalon edhe ndonjë nobelisti.
    Ky realitet i hidhur, me të ashtuquajturit njerëz të vlerave të mëdha artistike, sot ka arritur gjer në atë shkallë, saqë në asnjë konkurs letrarë nuk mund të e të mos jenë fitues të çmimeve me para, mirënjohje, lëvdata…, sepse vetë ata janë që konkurrojnë dhe vetë janë edhe anëtarë komisionesh, por i ndërrojnë pozicionet, herë disa janë anëtarë jurie, tjetri konkurron me poezi dhe merr çmim dhe anasjelltas.
    Por, personazhi yt mik që nuk banon në katin tuaj, ai vjedhës i poezive, që të ndërrojë disa rreshta dhe titullin e poezisë së vjedhur, por edhe atë nuk di si ta bëjë, sepse ia humb kuptimin poezisë, ngaqë aq e ka kapacitetin intelektual, nuk ka dhunti, sepse dhuntinë ta dhuron Zoti, andaj nuk mund të arrish atje ku mendon se mund të arrish, e asnjëherë aty ku thoni ju Miku Remzi, se personazhi i një province, aty ku vlerat nuk çmohen, nuk mund të arrijë aty ku mbisundojnë vlerat e mirëfillta, si në Lebnic, Stutgard, Munih, Zurih, Basel… e gjetiu, sepse njerëzit aty vlerësohen sipas vlerave artistike që i hedh në letër e jo sipas mendimit apo qejfit të kritikut gjysmëanalfabet, siç di të shprehet Prof.dr. Agim Vinca.
    Mik, mos u mërzit, personazhi yt nuk mund të humbasë nëpër labirintet e kohës, le ta presë Godonë, dhe le të rrijë i papërkulur, sepse ai ka vlera, ndërsa personazhi juaj i imagjinuar le të kërkojë lëmoshë, le të jetojë me shpirtin e tij të krekosur prej legjende, ylli. Ai është i përkohshëm dhe jo edhe i përjetshëm. Andaj, ruajeni personazhin që rrezaton dije, kulturë, aftësi intelektuale.
    Me respekt mik, duke ju uruar suksese në punën tuaj prej kritiku dhe artdashësi!

  2. Artisti asnjëherë nuk flet per vete, sepse ai le gjurmet e tij, Ai digjet per te ardhmen e vendit te tij, pikërisht për rinin brezin të cilin duhet të jenë pasardhës të denje per shoqerine tone, Autori ka bere nje permblledhje pikërisht per te ardhmen e kombit te tij, qe per fat te keq ka devijuar nga shinat e civilizimit njerzor,Nuk e veshtire ta kuptosh brengen e autorit pikpamjen e tij ne lidhje me realitetin e sotem, Vetëm se kur te ngrihesh të vendosesh ne pune Mendjen

Leave a Reply to Miku Dritani Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button