Në Shqipëri shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas

 Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas në Shqipëri janë mbajtur aktivitete të ndryshme, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë organizoi konferencën me temë: “Roli i gruas shqiptare në shtetformimin, modernizimin dhe evropianizimin e Shqipërisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë aktivitet morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, përfaqësues nga shoqëria civile, bota akademike, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, politikanë, etj.

Në fjalën e tij, Bushati tha se roli i grave në procesin se shtetformimit ka qenë vendimtarë dhe sipas tij, “duhet të bëjmë më shumë si shoqëri për t’i dhënë vendin që meriton gruas”.

Ndërsa përsa i përket debatit për kuotat e përfaqësimit të gruas në jetën publike dhe ekonomike të vendit, Bushati tha: “Në shërbimin e jashtëm më shumë se gjysma janë zonja dhe zonjusha, në pozicionet drejtuese kemi më shumë se 1/3 e zonjave dhe zonjushave që shërbejnë dhe që përpiqen për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptarë”.

Në përfundim të fjalës së tij, Bushati tha se duhet të “punojmë të gjithë së bashku për emancipimin shoqëror, sepse duhet të kuptojmë se gruaja është shtylla kurrizore e shoqërisë.”

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Tiranë, dhjetëra gra dhe vajza të organizuara nga disa organizata të shoqërisë civile kanë marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kërkuar më shumë të drejta për femrat dhe për të protestuar kundër dhunës ndaj tyre.

Protestueset mbanin në duar pankarta që përcillnin mesazhe të ndryshme, për barazi gjinore dhe kundër dhunës ndaj grave.

Mesazhe për Ditën Ndërkombëtare të Gruas kanë bërë politikanë të lartë të vendit. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u ka uruar 8 Marsin të gjitha grave e nënave nga ambientet e Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi” në Tiranë. “I uroj të gjithë mësueset dhe mësuesit e këtij Instituti edhe për 7 Marsin që festuam dje. Përkushtimi e puna e tyre ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara meritojnë respekt e mirënjohje të thellë. Një urim të veçantë në këtë 8 Mars për nënat e fëmijëve që nuk shikojnë ”, u shpreh Meta.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me anëtaret femra të Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës dhe drejtueset e njësive administrative të Tiranës, ishin pjesë e aktivitetit për mbjelljen e 500 pemë në një hapësirë të re të Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë, që do te quhet “Shtegu i Nënave”.

Ndërkohë me rastin e kësaj dite, në të gjithë Shqipërinë institucionet lokale dhe qendrore, por edhe organizatat e shoqërisë civile organizojnë aktivitete të ndryshme, me fokus promovimin e grave dhe të drejtat e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button