fbpx

Spanjë, gratë nesër hyjnë në grevë të përgjithshme

Gratë në Spanjë nesër me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas do të hyjnë në grevë të përgjithshme, si ato që punojnë poashtu edhe gratë amvise, raporton Anadolu Agency (AA).

Të tubuarat rreth të ashtuquajturit Komisioni i 8 Marsit, feministet spanjolle paralajmëruan protesta masive në rrugët në mbarë vendin ku gratë spanjolle do të ngrenë zërin kundër dhunës, abuzimit, pabarazisë dhe të gjitha llojeve të diskriminimit me të cilën gjinia e butë përballet në botë.

Në deklaratë thuhet se numri i grave viktima të dhunës seksuale rritet çdo ditë dhe se pozita e grave në shoqëri po përkeqësohet.

Më tej është theksuar gjithashtu situata veçanërisht e vështirë në të cilën janë gratë refugjate, të cilat madje kanë frikë të raportojnë dhunën që përjetojnë nga frika e deportimit.

Aktivistët e të drejtave të grave spanjolle gjithashtu theksojnë se gratë mesatarisht fitojnë 23 për qind më pak se meshkujt dhe se pothuajse të gjitha pozicionet udhëheqëse në vend janë të rezervuara për meshkujt.

Komisioni i 8 Marsit u bëri thirrje spanjolleve të punësuara që nesër të dalin në grevë dhe të mos shkojnë në punë. Thirrje u bënë edhe grave amvise që të refuzojnë punët e shtëpisë.

“Ftojmë të gjitha gratë që nesër të mos dërgojnë fëmijët në shkollë, të mos lajnë rrobat, enët, të mos gatuajnë dhe të mos kujdesen për nipërit dhe mbesat, por t’i bashkohen grevës së grave”, thuhet në deklaratën e Komisionit të 8 Marsit.

Komisioni gjithashtu u bëri thirrje spanjolleve që nesër të mos shpenzojnë para, përveç për furnizimet thelbësore dhe të mos blejnë në dyqanet ku gratë janë në pozitë të pafavorshme.

Komisioni u bëri thirrje për grevë edhe studenteve, duke apeluar që nesër të mos marrin pjesë në ligjërata, provime apo ndonjë angazhim tjetër.

Greva e 8 Marsit në Spanjë u organizua nën sloganin “Nëse ndalemi ne, ndalet bota” dhe u mbështet nga dy kryetaret e bashkive, zonja e parë e Madridit, Manuela Carmen dhe zonja e parë e Barcelonës Ada Colau.

Dy sindikatat më të mëdha të punëtorëve në Spanjë gjithashtu mbështetën grevën e grave dhe u bënë thirrje të gjithë punonjësve të pezullojnë punën në periudhën nga ora 11:30 deri në 13:30 dhe nga ora 16:00 deri në ora 18:00.

Në Madrid, Barcelonë, Valencia dhe Sevila janë paralajmëruar marshe të qeta masive të grave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button