5 gjërat që mjekët nuk duhet t’i postojnë kurrë në rrjetet sociale

Popullariteti në mediat sociale është rritur shumë vitet e fundit, ku 31.24% e të gjithë trafikut në ueb tani vjen nga platformat e rrjeteve sociale. Ky popullaritet i madh u ofron profesionistëve të mjekësisë disa mundësi interesante për të përmirësuar bashkëveprimin me pacientët. Në mediat sociale ata mund të ndajnë informacione të përgjithshme lidhur me gjendjet shëndetësore, trajtimet dhe studimet e reja, t’u përgjigjen pyetjeve të lexuesve, si dhe të promovojnë shërbimet mjekësore dhe të krijojnë një profil më serioz në komunitetin ku ata jetojnë.

Megjithatë, duhet të keni kujdes lidhur me rreziqet potenciale të përdorimit të mediave sociale. Ja cilat janë 5 gjërat që mjekët nuk duhet t’i postojnë kurrë në mediat sociale.

Informacion i pasaktë mjekësor – Në mediat sociale publikohen dhjetëra artikuj mjekësor çdo ditë.  Një pjesë e këtyre artikujve janë shpesh të pasaktë dhe keqinformim i kërkimeve mjekësore. Profesionistët e shëndetësisë nuk duhet t’i ripublikojnë, shpërndajnë apo pëlqejnë artikujt rreth trajtimeve mjekësore nëse nuk e kanë lexuar të gjithë artikullin dhe nuk e kanë vërtetuar saktësinë e tij. Nëse një përdorues merr informacione të pasakta mjekësore nga rrjetet tuaja sociale, mund të krijojë një opinion të keq për ju si mjek. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, më shumë se 1/3 e amerikanëve e kanë përdorur internetin për të zbuluar çfarë gjendje shëndetësore kanë. Pacientët mund t’ju gjejnë në rrjetet sociale dhe do të përdorin informacionet që ju keni shpërndarë në faqet tuaja zyrtare.

Mos publikoni asgjë që shkel privatësinë e pacientit: Kolegji Amerikan i Mjekëve rekomandon që doktorët duhet të jenë sidomos të kujdesshëm lidhur me privatësinë e pacientit kur përdorin mediat sociale. Ka pasur raste kur mjekët kanë humbur licencën mjekësore pasi kanë postuar në rrjetet sociale foto që shkelin privatësinë e pacientit.

Edhe postimi i një fotoje të skuqjes së lëkurës mund të konsiderohet shkelje e privatësisë së pacientit, prandaj jini shumë të kujdesshëm. Gjithmonë merrni leje me shkrim nga pacienti nëse doni të përdorni foto të çdo pjese të trupit të tij. Shmangni komentet rreth një pacienti të caktuar në mediat sociale, vetëm nëse keni leje për ta bërë. Edhe nëse nuk ka asnjë gjasë që pacienti të verifikohet nga ajo çfarë ju keni shkruar në mediat sociale, konsiderohet joprofesionale diskutimi rreth specifikave të gjendjes së tij. Kujdes kur bëni foto ndërkohë që jeni duke punuar. Ka pasur raste kur profesionistët e shëndetit kanë publikuar gabimisht pamje të pacientëve pas tyre ndërkohë që kanë shkrepur një selfie.

Të gjithë bluzat e bardha (mjekët, infermierët, recepsionistët) duhet të mendojnë fillimisht për privatësinë e pacientit kur postojnë në mediat sociale.

Informacionet tuaja personale: Duhet të bëni një ndarje të jetës personale me atë profesionale kur bëhet fjalë për rrjetet sociale. Një koment, foto apo video e papërshtatshme mund të njollos reputacionin tuaj profesional. Mund të krijohet edhe një hendek në marrëdhënien pacient-doktor nëse pacienti ka shumë informacione në lidhje me jetën tuaj personale. Për shembull, kur jeni duke folur me një pacient në zyrë, a do t’i tregonit atij që keni pirë alkool natën e kaluar dhe ia keni kaluar shumë mirë? Kolegji Amerikan i Mjekëve rekomandon që bluzat e bardha duhet t’i kenë të ndara llogaritë në rrjetet sociale lidhur me jetën profesionale dhe personale. Ata sugjerojnë gjithashtu që profili profesional të jetë më i dukshëm se ai personal. Tek llogaria profesionale mendoni gjithmonë për informacionet për të cilat janë të interesuara pacientët dhe komuniteti.

Opinione në çështje të debatueshme: Në rrjetet sociale njerëzit janë më të lirshëm të japin opinionet dhe idetë e tyre. Ata besojnë se bota virtuale nuk është e lidhur me atë reale. Fatkeqësisht, gjithçka që ju shkruani në botën virtuale do të ketë patjetër pasoja në botën reale. Prandaj përpiquni të shmangni sa më shumë opinionet në lidhje me çështje delikate, si për shembull ato që kanë lidhje me fenë, politikën, racizmin etj. Pacientët mund të kenë më pak besim tek ju, mund edhe t’ju kundërvihen nëse vërejnë që pozicioni juaj në këto çështje shumë të nxehta janë shumë të kundërta me atë të tyren.

Ankime apo pakënaqësi: Edhe nëse keni kaluar një ditë shumë të keqe, është jo profesionale të përdorësh rrjetet sociale për t’u ankuar. Edhe nëse iu është dashur të përballeni me një pacient të tmerrshëm ose një koleg acarues, mos përdorni mediat sociale për t’u shfryrë. Gjithçka që ju shkruani në mediat sociale mund të kthehet në dëmin tuaj. Nëse ankoheni për shefin, në momentin që ndryshoni punë, punëdhënësi mund të gjejë komentet tuaja në internet. Pacienti mund të zbulojë se jeni ankuar për të në mediat sociale.

Mos e harroni rregullin kryesor në përdorimin e rrjeteve sociale si mjek: postoni vetëm informacione që janë të dobishme për pacientët dhe komunitetin. Jini profesional dhe mos harroni që postimet në mediat sociale kanë pasoja në botën reale./ Shendeti.com.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button