Përkujtohet veprimtaria e Adem Jasharit në Shkup

Me rastin e 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlimtare të Kosovës dhe rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, organizoi në Shkup një akademi përkujtimore, në të cilën historianë dhe protagonistë të asaj kohe shpalosën të dhëna mbi veprimtarinë e Adem Jasharit në kontekstin e lidhjes së tij me Shkupin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në prani të figurave të shumta nga jeta politike dhe shoqërore, në mesin e të cilëve djali i Ademit, Lulzim Jashari, ambasadori i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, nikoqiri i Akademisë së sotme, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu tha se ndodhitë e së kaluarës historike të cilat vulosën indin tonë kombëtar duhet t’i përkujtojmë me mirënjohje të thellë, ndërsa sakrifica e njerëzve të na shërbejë si frymëzim për avancimin e vlerave kombëtare.

Në akademinë solemne u tha se Adem Jashari ishte i gjithë shqiptarëve, dhe si tillë ishte edhe i Shkupit, dhe pikërisht në këtë kontekst ishte fjalimi i historianit Skender Asani, i cili elaborimin e tij e kishte titulluar “Adem Jashari djalë i Shkupit”.

Në paraqitjen e tij, Asani tha se njëjtë sikur shumë patriotë nga e kaluara shqiptare, edhe Adem Jashari veprimtarinë e tij e kishte zhvilluar edhe në Shkup, të cilën e kishte nisur në fillimin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, duke themeluar një rrjet të mirë të bashkëveprimtarëve me qëllim të formimit të një ushtrie e cila do të bëjë një luftë të armatosur për çlirimin e trevave shqiptare nën okupimin jugosllav.

Në bazë të intervistave me protagonistë të asaj kohe, tha Asani, Ademi me bashkëveprimtarë nga të gjitha trevat e ish Jugosllavisë në vitin 1991 kishte shkuar në Shqipëri për t’u stërvitur, në mesin e të cilëve ka pasur edhe nga Shkupi, ndërkohë që nisja ishte bërë pikërisht nga aeroporti i Shkupit.

Historiani Asani, shpalosi disa të dhëna interesante për veprimtarinë e Adem Jasharit pas kthimit nga Shqipëria dhe qëndrimit të tij në Shkup, më saktësisht kur në shkollën fillore e cila atëherë quhej “Dame Gruev”, ndërsa sot “7 Marsi”, është bërë betimi para flamurit kombëtar i disa të rinjve shqiptarë ku i pranishëm ka qenë vetë Adem Jashari.

“Nga kujtimet kuptojmë se Adem Jashari ka qëndruar gjatë në lagjen Serova të Komunës së Çairit, meqë Serbia e kishte shpallur në kërkim, për çka kishte caktuar një shumë të madhe të hollash si shpërblim për personin që do të jepte informacione për vendndodhjen e tij. Ai në këtë kohë ishte nën përkujdesin e Ismet Shabanit. Në këtë përvjetor propozojmë që në shtëpinë ku qëndroi Ademi të vendosim një pllakë për t’i lënë gjurmë veprimtarisë së Adem Jasharit në Shkup”, tha Hasani.

Djali i heroit kombëtar, Lulzim Jashari në fjalimin e tij, tha se shqiptarët e këtushëm kanë pasur një obligim moral ndaj vëllait nga Kosova të cilin obligim tha se e kanë kryer më së miri. Ai tha se 20 vite pas Epopesë kanë ndodhur shumë zhvillime pozitive, por edhe shumë ndodhi që kanë frenuar përparimin tonë në shumë fusha, të cilat bëjnë që përmbushja e idealeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të lë shumë për të dëshiruar.

“Bashkëpunimi i shqiptarëve në të gjitha trojet etnike nuk është ai i dëshiruari. Integrimet në botën shqiptare kanë mbetur përgjysmë, në fushën e arsimit nuk ka një koordinim të duhur, në ekonomi kemi ngecje ashtu siç kemi në shumë fusha të tjera. Forcimi i bashkëpunimit kërkon që atdheun ta duam më shumë”, tha Jashari.

Memoare evokoi edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se njerëzit duhet të dëgjojnë për kujtimet nga e kaluara e Adem Jasharit, për të cilin tha se bashkë me grupin e tij vuri në lëvizje luftëtarët shqiptarë, për të shtuar se familja Jashari dhe sakrifica që bëri vuri në lëvizje një komb të tërë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button