Zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Gotmeler: NATO shpreson për zgjidhje të emrit

Është shumë mirë që çështja për emrin ndodhet lartë në agjendë dhe shpresojmë se mund të krijohet momentum pozitiv, thotë zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rouz Gotmeler, në intervistë për televizionin grek Skaj, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancën veri-atlantike, ajo e përmend vizitën e paradokohshme të sekretarit të përgjithshëm Jens Stoltenberg në Shkup dhe qëndrimin se “duhet të shkohet përpara në negociata në kuadër të KB-së, në një mënyrë të drejtpërdrejtë, duke punuar me ambasadorin Nimic, të gjendet zgjidhje që në mënyrë të qartë do t’i përgjigjet të gjitha palëve”.

“Ne ndjekim me kujdes, është shumë interesant se sa lartë ndodhet tema në agjendë, sepse kjo është diçka shumë e mirë. E di se disa vite ishte larguar mënjanë. Sipas kësaj, ne shpresojmë se mund të krijohet një momentum, në mënyrë pozitive”, theksoi Gotmeler në intervistë për emisionin “Istories” në televizionin grek “Skaj”.

Duke folur për negociatat dhe duke e përmendur përvojën e saj personale si negociuese, thotë se nuk mund të dihet drejt çka pojnë, bëhet fjalë për procese të ngadalshme dhe të rënda, ndonjëherë ka dy hapa prapa, një hap përpara, “por vazhdon të shkosh përpara dhe të kërkosh zgjidhje”.

Zëvendësja e Stoltenberg, në pyetjen nëse ekziston plani B në rast se nuk ka marrëveshje deri në samitin e korrikut, thotë se NATO është e përkushtuar në politikën e dyerve të hapura, ndërsa kjo ka të bëjë jo vetëm me Maqedoninë, por edhe me të gjitha vendet që dëshirojnë të bëhen anëtare.

“Mendoj se ajo që do të duhej ta dinë shikuesit tuaj është se sa i përket NATO-s, vendimet nga Samiti i Bukureshtit, të cilat, në vitin 2018 janë tashmë 10 vite të vjetra, me të vërtetë e japin pasqyrën se dera është e hapur. Ne jemi të fokusuar vetëm në IRJM, sqaron zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe thotë se vendet do të duhej të kenë mundësi që[ vetë t’i zgjedhin marrëdhëniet e tyre të sigurisë.

Mu këtë, Rouz Gotmeler e përmend edhe lidhur me analizat se po rritet ndikimi rus në rajon. Thotë se nuk ekziston kurfarë kontradikte mes vendit që ka marrëdhënie të mira me NATO-n, ndërsa në të njejtën kohë edhe marrëdhënie të mira me Moskën, ndërkaq si shembull e përmend vizitën e saj në Beograd.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Greqi-Maqedoni

Greqi – Maqedoni

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”, transmeton Portalb.mk.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, tre prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme, Maqedonia Veriore dhe Maqedonia e Vardarit.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button