Maqedoni, ja kur do të hidhet në votim ligji i gjuhëve

“Unë nuk e kam vënë sot ligjin për përdorimin e gjuhëve në seancë pasi që edhe shumica parlamentare nuk ka qenë e sigurt për të. Pres që shumica të arrijë konsolidim dhe më pas unë do ta thirr votimin e ligjit”, kështu u shpreh mbrëmë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi në emisionin “200” në Alsat-m, transmeton Portalb.mk.

Jo zyrtarisht thuhet se pas koordinimeve të brendshme mes grupeve parlamentare nuk ka pasur marrëveshje se si të zhbllokohet shqyrtimi i ligjit në leximin e tretë. Shkak ka qenë ajo se deputetët e LSDM-së nuk janë pajtuar që të kalohet diskutimi i amendamenteve dhe të votohet ligji si dhe opozitës t’i jepet vetëm të drejtë për vërejtje procedurale.

I pyetur se çfarë do të ndodh nëse shumica parlamentare nuk arrin konsolidim, kryeparlamentari Xhaferi tha: “Nuk është detyrë e Kuvendit ta mendojë atë. Por nga ajo bisedë që kam pasur me deputetë, nuk kam dyshime se shumica nuk do ta votojë”.

Megjithatë, sipas asaj që u deklarua nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ekziston mundësia që pas konsolidimit të shumicës parlamentare për ligjin për përdorimin e gjuhëve, i njëjti të hidhet në votim pa diskutim të amendamenteve.

“Unë shikoj kompetencat dhe veprimet procedurale të cilat dalin nga Rregullorja e Kuvendit. Ligji i ka kaluar të gjitha procedura ligjdhënëse, por u kthye pas për shkak të mosdekretimit të tij nga ana e presidentit të shtetit. Mosdiskutimi i amendamenteve është çështje interpretimi dhe unë bazohen në Rregulloren e Kuvendit. Ajo çfarë nënkupton me këtë, është se kjo do të shihet gjatë konventimit të seancës plenare”, tha Xhaferi.

Maqedoni, në kohë të pacaktuar është shtyrë seanca kuvendore për ligjin për gjuhët

Përndryshe, këto deklarata të Xhaferit erdhën pasi dje për të dytën herë u caktua seancë për ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili që nga 29 janari nuk arriti të kalojë leximin e tretë. Tërë kjo mosthirrje e ligjit erdhi sepse ende janë aktuale 35,569 amendamentet të cilat u propozuan nga opozitarja maqedonase, VMRO-DPMNE – nën arsyetimin që e njëjta të plotësohet dhe të reflektojë barazi sociale, gjë e cila bëri që nga atëherë e deri më sot të mos mbahet as edhe një seancë plenare edhe për ligjet tjera reformuese.

Sipas rregullores së Kuvendit, për secilin amendamentet, propozuesi, në këtë rast VMRO-DPMNE-ja ka të drejtë që të shtjellojë të njëjtin 3 minuta, që në total nëse diskutohen të gjitha amendamentet do të duhen 105,000 minuta. Matematika optimiste thotë se për një orë mund të shtjellohen 30 amendamentet ose 240 në ditë.

Megjithatë, ekspertët thonë se që të mos bllokohet Kuvendi dhe nga ana tjetër të mund të shqyrtohen amendamentet e ligjit të përdorimit të gjuhëve mundet që seanca plenare të ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë të diskutohet për ligjin për përdorimin e gjuhëve, në pjesën tjetër të miratohen ligjet e rëndësishme për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë.

Në lidhje me këtë, të dielën lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi ligji i gjuhëve është antikushtetues dhe i pazbatueshëm. Deklaratë kjo e thënë edhe më herët të cilës kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev iu përgjigj duke thënë se është i papranueshëm propozimi për vlerësim të kushtetueshmërisë së ligjit.

Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më 5 shtator të vitit të kaluar në Komisionin për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button