ZONJAT MADHËSHTORE

Në sisteme tiranike mësuesit idealistë ngjajnë me Prometheun; me të rebeluarin kundër diktatit e obskurantizmit, i cili njerëzve ua dha zjarrin – simbolin e dijes dhe të dritës.

Akti i tij është simbol i mbrojtjes së dinjitetit të nëpërkëmbur njerëzor në kushte tiranie. Se në kushte robërie e pëson dinjiteti i njeriut.

Mësuesit shqiptarë shpesh e kanë përjetuar fatin e këtij heroi mitik. Ata, nëpërmjet sakrificës mbinjerëzore, ndikuan në ngritjen kulturore të njerëzve.

Në këtë përvjetor të shkollës së parë shqipe (ndonëse ky formulim është i kontestueshëm), dua ta theksoj kontributin e Zonjave të Nderuara, pranë së cilave ndjehem i vogël. Disa prej tyre nuk rrojnë më. Ato i kam admiruar dhe i admiroj deri në përkulje. Janë, pra, Mësueset e para. Misioni i tyre ka qenë i vështirë, sepse një mjedis i zhytur në terrin e mosdijes, i ka paragjykuar. Nuk është e lehtë që të veprosh në një ambient të tillë pa u ligështuar. Vetëm të fuqishmit, që kanë ndërmarrë një mision të fisëm, nuk zmbrapsen.

Ato kurrë nuk janë ankuar se “nuk i kupton populli”, siç flasin sot shumë snobë, që nuk e kanë kuptuar esencën e misionit intelektual. Se është i dituri që duhet të kujdeset për të paditurin, thoshte Mithat Frashëri.

Misioni i këtyre Zonjave të Nderuara ka qenë i vështirë edhe për shkakun se kanë vepruar në një regjim totalitar, tepër armiqësor ndaj Mësuesit.

Ato, me mund e me sakrificë, e kanë shpërndarë dritën e dijes ndër breza. Kanë punuar në heshtje për ngritjen kulturore ndër këto vise, pa kërkuar që t’u shpërblehej mundi, aq sa e meritonin.

Te grekët e lashtë e kemi fjalën “kallokagatia”, që shenjon bukurinë, mirësinë dhe vlerën supreme morale. Ky ishte ideali etik i grekëve të lashtë. Pra, etikja e gërshetuar me estetikën. Sipas grekëve të lashtë arsimi ishte kulmi i bukurisë.

Zonjat e Nderuara u angazhuan një jetë për këtë ideal të fisëm. U angazhuan për të na lartësuar në kulmin e bukurisë dhe mirësisë.

Të nderuarat Zonja, me vështrimet e thella, si dy oqeane të mbushura me mirësi e humanizëm, ato, pra, të thjeshtat dhe madhështoret, që ndjejnë lumturi për çdo sukses të nxënësve të tyre, meritojnë respektin e përgjithmonshëm. Duke i nderuar ato, në fakt, e nderojmë vetveten.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button