Një jetë kushtuar dijes dhe arsimit

Disa fjalë mirënjohëse kushtuar prof.dr.Remzi Nesimit për nder të 7 Marsit

7 Marsi dita e mësuesit, atyre dhe vetëm atyre, që mbajnë lart emrin dhe etikën e emrit mësues. Të flasësh e të shkruash për jetën dhe veprën e atyre që gjithë jetën ia kushtuan arsimit, dijes e edukimit të brezave të ri nuk është detyrë fort e lehtë, sidomos kur kemi të bëjmë me personalitet siç ishte profesor Remzi Nesimit. Pra, është detyrim i madh sa intelektual, por edhe moral, sepse duhet menduar dhe përzgjedhur mirë fjalët për të evidentuar ato vlera që e cilësojnë një personalitet të këtillë.

Janë shumë të rrallë njerëzit si profesor Nesimi, që në personalitetin e tyre i kanë të gërshetuara vlerat më të larta njerëzore si urtësinë, bujarinë, edukimin e lartë akademik, atdhetar dhe fetar, sinqeritetin dhe virtualitetin në komunikim me njerëzit.

Profesori i nderuar më se gjysmë shekulli, ka punuar për ngritjen e përgjithshme arsimore e kulturore dhe të vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar, për të lëvruar, kodifikuar dhe përpunuar shqipen standarde.

Nga pjesëmarrja në Kongresin e Drejtshkrimit, nga ligjërimet e shkrimet e profesor Remziut mund të nxirret porosia se jemi një komb, prandaj duhet të kemi një gjuhë të përbashkët. Ai vazhdimisht ka shkruar e folur për pastrimin, pasurimin e shqipes dhe përgjithësisht për ngritjen e kulturës së gjuhës.

Me kontributin e tij ky personalitet i shquar i kulturës sonë, dha ndihmesa në fusha të ndryshme, si në: përkthimet e veprave nga gjuha shqipe në atë maqedonase dhe anasjelltas, në lëminë e dialektologjisë, të gjuhës së sotme letrare shqipe, sidomos me anë të studimeve, recensioneve, dha një ndihmesë të madhe për kulturën e gjuhës sonë shqipe. Në gjitha punimet, artikujt dhe studimet e Nesimit vërehet profesionalizmi shumë i theksuar, sidomos mënyra si janë trajtuar dhe rezultatet që ka arritur në Maqedoni dhe më gjerë, andaj dhe veprimtaria e tij e frytshme arsimore, shkencore e kulturore u kurorëzua me shumë mirënjohje, diploma e medalje.

Nëse i referohemi Platonit, njeriu ka tri pamje. Një pamje është siç e njeh ai veten, një pamje siç e njohin të tjerët  dhe  pamja e tretë dhe më e vështira për t’u njohur, siç është njeriu në të vërtetë. E profesor Nesimi gjatë gjithë jetës së tij është shfaqur si burrë, njeri me karakter të fortë, figurë e lartë morale në arsim, studiues dhe hulumtues i shkëlqyer, modest e shumë punëtor. Personalitetin e tij në punë e karakterizoi thjeshtësia dhe elokuenca e tij në të folur, njohuritë e thella që kishte jo vetëm në fushën e gjuhësisë, por edhe në atë të problemeve shoqërore të kohës. Erudicioni i tij bazë ishte libri, që nuk u shqit kurrë nga duart e tij.

Kur merr në dorë punën krijuese të profesorit dhe shikon veprimtarinë e tij të dendur, lind natyrshëm pyetja se si u formua sistemi i punës të këtij hulumtuesi të shquar, që dha një rezultat kaq të madh në fusha të ndryshme të krijimeve gjuhësore. Dhe po të shprehemi përmbledhtas, del se në sistemin e punës së tij mësimore edukative, e ruajti me kujdes të madh raportin talent-punë, sepse udhëhiqej nga parimi se çdo gjë varet nga puna që bën njeriu.

Ai më së miri ka ditur të futet në botën e brendshme të studentëve, t’i mbajë ata afër e me dashuri njerëzore të ecin bashkërisht në udhën e vështirë të dijes, duke ndihmuar të kuptojnë të fshehtat e shkencës dhe të jetës, duke zgjuar tek ata energjitë e tyre të brendshme dhe duke i drejtuar në fushat e begata të paqes, mirësisë, dashurisë dhe humanizmit. Shërbeu pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë nga shpirti i tij i madh e bujar gjithçka për studentët, rrezatoi kulturë dhe me plot pasion për vite me radhë u dha dije e kulturë brezave.

Të gjithë ne që e njohëm ruajmë respekt të veçantë për profesor Remziun jo vetëm si gjuhëtar dhe dijetar, por edhe si njeri i paqes, që me natyrën e tij të qeshur e tejet njerëzore, me idetë dhe njohuritë e thella për probleme të ndryshme, gjithmonë arrinte të na ndihmojë, e me atë të mbetet gjithnjë ndër figurat më të nderuara e ndër më të dashurat të kulturës sonë.

Vepra e profesor Nesimit do të jetojë gjatë, ndërkaq puna dhe entuziazmi i tij do të na shërbejnë si mësim dhe frymëzim i përhershëm në rrugëtimin tonë, tashmë pa të.

Profesor, ju faleminderit për të gjithë atë që bëtë për ne!

I përjetshëm qoftë kujtimi për emrin dhe veprën tuaj!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button