Myslimanët në St. Gallen barazohen me të tjerët

Këtë të martë, Parlamenti i Kantonit të St. Gallenit ka votuar ndryshimet në Ligjin mbi varrezat dhe varrimet. Në këtë kuadër është bërë një hap i rëndësishëm sa i përket sigurimit të hapësirave për varreza të myslimanëve në këtë kanton. Me ligjin e ndryshuar, u mbetet komunave të vendosin nëse do të lejojnë varreza për myslimanët ose jo.

Duke shprehur qëndrimin e institucioneve kantonale lidhur me ndryshimin e fundit, Dr. Anita Dörler, sekretare gjenerale e departamentit të punëve të brendshme në kantonin St. Gallen, thotë për albinfo.ch se ky hap, shikuar nga këndvështrimi i integrimit, është për tu përshëndetur.
 
“Është një hap drejt barazimit të të drejtave të myslimanëve, në kuptimin që edhe atyre t`u njihen, t`u lejohen, ritet religjioze që lidhen me rastet e vdekjes, ashtu sikur i njihen kishës katolike ose asaj evangjeliste. Ligji krijon një parakusht të rëndësishëm për barazimin e myslimanëve në kanton. Tashti, u takon komunave që ta bëjnë hapin përkatës të barazimit, duke ia përshtatur nevojave lokale”, ka thënë Dörler.
 
Ndërsa për shanset që komunat të veprojnë në këtë drejtim ajo thotë: “nevoja (për varrezat myslimane) nuk është njësoj e madhe në të gjitha komunat. Sigurisht, më shumë shanse për një gjë të tillë do të kenë qytetet, respektivisht lokalitetet më të mëdha, që kanë përqindje më të lartë të banorëve të besimit islam”.
 
Edhe përgjegjësi i zyrës për çështje shoqërore dhe integrim në ekzekutivin e qytetit të St. Gallenit, Peter Tobler thotë se ky ligj është “një hap kuptimplotë në drejtim të vendosjes së barazisë së myslimanëve në kanton”. /albinfo/

Lajme të ngjashme

Back to top button