Maqedoni, nga pazaret e fshehta politike pësojnë vetëm qytetarët dhe drejtësia që e meritojnë

Që Maqedonia të jetë shtet demokratik, i barabartë, të sundojë shteti i së drejtës dhe të sigurojë mirëqenie për qytetarët duhet të ndëshkohet krimi e jo të amnistohen funskionarët e VMRO-DPMNE-së të cilët akuzohen për vepra penale- pavarësisht asaj që kjo do të rezultonte në bllokimin e mëtutjeshëm të Kuvendit të Maqedonisë, vlerësuan për Portalb.mk, gjykatësi kushtetues Osman Kadriu dhe juristi Temelko Risteski.

Ata vlerësojnë se nëse do të bëhej kurban drejtësia për t’u amnistuar funksionarët e VMRO-DPMNE-së do të binte poshtë premisa me të cilën u ndërrua qeveria e Maqedonisë,  “Jetë për të gjithë qytetarët”. Ky do të ishte edhe mësim i keq për funksionarët e rinj shtetëror.

“Të mos ketë ligj për amnisti të të gjithë personave të cilët akuzohen me vepra të rënda penale. Assesi nuk duhet të mendohet të sillet ligj për amnisti të kryerësve të veprave penale me qëllim të zhbllokimit të Kuvendit”, tha Kadriu.

Nga ana tjetër, juristi Temelko Risteski këmbëngul që pushteti gjyqësor duhet të lihet të punohet sipas ligjit dhe se të dyshuarit për vepra penale të mos lirohen, pasi që siç tha ai “ende nuk janë krijuar kushte që të njëjtët të lirohen”.

“Në çdo rast deputetët duhet të shkojnë në Kuvend dhe të marrin pjesë në Kuvendin e Maqedonisë. Cenimi i mirëqenies së qytetarëve dhe sundimit të ligjit nuk duhet të ketë. E rëndësishme është që deputetët të japin përgjegjësi, nuk duhet të ketë lirim të tyre. Më së miri është që të lihet pushteti që punojë sipas ligjit”, tha Risteski.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski të dielën tha se kthimi në Kuvend i deputetëve të partisë të cilën e udhëheq ai do të bëhet kur të kompletohet grupi parlamentar i tij, sipas gjykatësit kushtetues të Maqedonisë, Osman Kadriu kjo parasheh dy skenarë: njëri parasheh heqje e paraburgimit të plotë- kjo nuk duhet të ndodh e ndërsa skenari i dytë, sipas tij më i pranueshëm edhe për qytetarët e Maqedonisë – deputetëve t’u mundësohet pjesëmarrje në Kuvend duke u mbrojtur në liri.

“Një prej hapave që duhet të bëj Kuvendi është që t’u mundësojë deputetëve aktual që janë në paraburgim, të lirohen, të mbrohen në liri. Me këtë atyre do t’u mundësohet të marrin pjesë në seanca të kuvendit dhe mbledhje të komisioneve dhe me atë të pajtohet edhe partia VMRO-DPMNE-ja, se ja që një prej kushteve plotësohet”, tha Kadriu.

E ndërsa juristi Temelko Risteski, zhbllokimin e Kuvendit e sheh si taktikë politike.

“Ajo është taktikë politike”, tha Risteski.

Përndryshe, të dielën pas takimit që u realizua në Qeverinë e Maqedonisë, ndërmjet kryeministrit Zoran Zaev dhe lideri të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi se deputetët e partisë të cilën e udhëheqë ai do të kthehen në Kuvend atëherë kur do të jenë komplet.

“Ne nuk do të kthehemi në Kuvend pasi që në bazë të përllogaritjeve të bëra, nuk mund të jemi komplet dhe aktiv në Kuvend”, tha Mickoski.

Deklaratës së Mickoskit, kryeministri Zaev iu përgjigj duke i thënë se nuk kanë ndërmend të ndikojnë në gjyqësor.

“E kuptoj pozitën e VMRO-DPMNE-së që të mos kthehet në Kuvend derisa nuk kompletohen, por edhe qëndrimi ynë mbetet i pandryshueshëm – nuk kemi ndërmend të ndikojmë në gjyqësor dhe në vendimet gjyqësore në raport me paraburgimin e deputetëve për ngjarjet e 27 prillit”, tha Zaev.

Përndryshe, që nga mesi i dhjetorit të 2017-s deputetët e VMRO-DPMNE-së janë duke e bojkotuar punën e Kuvendit të Maqedonisë. Ata u riulën në karriget e tyre vetëm  për të bllokuar miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve për të cilin propozuan 35,569 amendamente- të cilat bënë që Kuvendi i Maqedonisë për më shumë se një muaj të mos mbajë seanca plenare.

Megjithatë, ekspertët thonë se që të mos bllokohet Kuvendi dhe nga ana tjetër të mund të shqyrtohen amendamentet e ligjit të përdorimit të gjuhëve mundet që seanca plenare të ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë të diskutohet për ligjin për përdorimin e gjuhëve, në pjesën tjetër të miratohen ligjet e rëndësishme për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button