Sadiku: E lëndova hundën nga përplasja me Lopezin, mjeku nuk më lejoi të luaj

Armando Sadiku ishte i ftuari special i “Zona Gol”, ku shpjegoi me detaje atë që kishte përjetuar pas përplasjes me portierin Diego Lopez në takimin Levante – Espanyol 1-1.

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, në takimin e dytë me ekipin spanjoll ka pësuar një frakturë në hundë, transmeton Telegrafi.

“Ishte si një bombë, nuk e prisja fare që do të dilte portieri dhe u përplasëm kokë më kokë. Ai ka pësuar një çarje te veshi dhe një frakturë kocke afër veshit, ndërsa unë një frakturë në hundë. Doktori ma vendosi në vend, por duhet t’i nënshtrohem një operacioni të vogël, nuk ka asgjë serioze. Do ta mbaj në allçi për dy ditë, të mërkurën pasdite dal në stërvitje me ekipin”.

Sadiku u dëmtua në fund të pjesës së parë, ndërsa para se të niste e dytë trajneri vendosi ta zëvendësonte.

“Doja të luaja në pjesën e dytë, por doktori më bëri pyetje dhe teste dhe e panë që nuk isha shumë i vetëdijshëm. Ishte moment që kisha shumë dëshirë të luaja, më ishte dhënë mundësia. Kam vënë maskën që sot dhe pres të jem gati që për fundjavën e ardhshme në Girona”.

Ambienti te Levante është i trazuar, sepse drejtuesit e klubit shkarkuan për rezultate të dobëta trajnerin Muniz.

“Na përshëndeti në dhomat e zhveshjes. Kanë vënë një trajner të ekipit të të rinjve, shpresojmë të na sjellë një frymë të re. Cilësia e grupit është shumë e mirë. Shpresojmë të arrijmë rezultate pozitive, sot pësuam gol në minutën e fundit. Ky është një moment pak negativ, por duke qenë në ekip besoj se kemi shumë kualitet dhe na mungon një fitore dhe çlirohemi”.

Sadikut iu desh të priste disa ndeshje për të debutuar me Levanten. Arsyet pse vonoi debutimi i tij lidhen me problemet fizike.

“Që kur kam ardhur këtu, kam pasur dëmtime të vogla që më kanë lënë jashtë. Sa u riaftësova, u dëmtova sërish. Tani shpresoj që ky të jetë dëmtimi i fundit dhe të kthehem e t’i luaj të gjitha ndeshjet si titullar.”

Sadiku e pranon se ka marrë një risk përsipër ku pranoi transferimin nga Legia te Levante, që militon në një prej kampionateve më të forta në botë.

“Po nuk rrezikove, nuk fiton, më donin edhe në Turqi. Legia bleu lojtarë të tjerë po kishte vështirësi ekonomike. Erdhi një ofertë e mirë për klubin dhe për mua. U ulëm e folëm bashkë dhe menduam që do të ishte zgjidhja më e mirë për të dy palët. Si mund ta refuzoja kampionatin spanjoll? Është ndër më të fortët në botë. Levante është në zonën e rënies, por mendoj që kemi shumë kualitet. Shpresoj të kaloj një kohë të mirë këtu.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button