Mickoski pas takimit me Zaevin: kryetari i KSHZ-së do t’i takojë VMRO-së

Në takimin që u zhvillua sot në objektin e Qeverisë së Maqedonisë, siç tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski “me ftesë të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev” është diskutuar për procesin e negociimit për çështjen e emrit Maqedoni – Greqi, për ligjin e gjuhëve, për komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe për përpilimin e një Kodi të ri zgjedhor, transmeton Portalb.mk.

Kompletimi i KSHZ-së: kryetari të jetë i VMRO-DPMNE-së

“Kemi folur edhe për kompletimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për të cilin ramë në pajtueshmëri se duhet të kompletohet, sipas modelit të vjetër, ku kryetari do të jetë me propozim të opozitës kurse shumica do t’i takojë opozitës”, tha Hristijan Mickoski i cili i pyetur nga gazetarët nëse kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pranoi që një gjë e tillë të jetë e zbatueshme, ai tha “po pranoi”.

U tha gjithashtu se deri në nëntor do të përgatitet Kod Zgjedhor i ri.

Kontesti me Greqinë: VMRO nuk përkrah ndryshimet kushtetuese

“Biseduam edhe për negociatat që janë aktuale të cila udhëhiqen ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. Dua të njoftoj se ne nuk lëvizim nga qëndrimi që e kemi thënë në takimin e fundit të liderëve, që u mbajt në Klubin e Deputetëve. Unë e thash edhe njëherë atë që kemi deklaruar, VMRO-DPMNE-ja nuk do të përkrah ndryshime kushtetuese dhe ndryshim të emrit dhe se për çështjet identitare nuk duhet të bisedohet, siç janë gjuha dhe kombi”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ligji i gjuhëve: VMRO vlerëson se është antikushtetues dhe i pazbatueshëm

“Folëm edhe për ligjin e gjuhëve. VMRO-DPMNE-ja i mban qëndrimet e saja që i ka thënë disa herë, se ai është antikushtetues dhe i pazbatueshëm dhe për të njëjtin duhet të respektohet Rregullorja dhe ligji”, tha Mickoski.

Grupet parlamentare negociiuese: javën e ardhshme do të arrihen marrëveshjet

Në lidhje me grupet parlamentare të cilat po negociojnë kohës së fundit, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se “besoj se javën e ardhshme do të arrijnë marrëveshje për shumë çështje të hapura. Edhe këtu shumica e rekomandimeve për zgjidhjet e arrira kanë dalë nga opozita”.

Siç tha Mickoski, në takim është diskutuar edhe siç e quan ai, “terrorin politik”. Megjithëse edhe pse i pyetur se a kanë pasur kërkesë nga ata dhe pajtim për amnistim të deputetëve nga ana e kryeministrit të Maqedonisë, Micksoski tha kështu: “Folëm për paraburgimin e deputetëve tanë, si dukuri devijuese dhe negative. Megjithatë duhet të dihet se Qeveria dhe gjyqësori janë faktorët kryesor për këtë”.

Zaev pas takimit me Mickoskin: e kuptoj VMRO-DPMNE-në, por edhe ne nuk ndryshojmë qëndrim

Nga ana tjetër, për çështjen e emrit Maqedoni – Greqi sot në Melburn të Australisë është mbajtur protestë nga mërgimtarët maqedonas në të cilën është djegur fotografia e kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev. Në protestë, krahas që mos të ndryshohet emri i Maqedonisë, është kërkuar edhe të lirohen nga paraburgimi të dyshuarit për sulmin e 27 prillit të 2017-s në Kuvendin e Maqedonisë.

Protesta ka pasur sot edhe në Shkup, ku me daulle dhe poezi u kërkua ndërprerje e negociatave Maqedoni – Greqi.

Për Ligjin për gjuhët është diskutuar edhe në takimet me tre eurodeputetët Ivo Vajgëll, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan, të cilët janë iniciatorë të bisedimeve në kuadër të procesin Zhan Mone.

Takimi i parë me përfaqësuesit e partive parlamentare, duke e përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në pritet të mbahet më 15 mars, por nëse nuk sigurohet prania e eurokomisarit Johanes Han dhe ekspertëve, bisedimet do të mund të shtyhen për në maj.

Ndryshe, mbi 35 mijë amendamentet e propozuara nga VMRO-DPMNE-ja për ligjin e gjuhëve, e kanë paralizuar punën e Kuvendit. Edhe vetë kryeparlamentari Xhaferi, të njëjtat i ka cilësuar si bllokadë të Kuvendit të Maqedonisë, ndërkaq nga ana tjetër VMRO-DPMNE thirret në atë se ato kanë për synim të arrijnë barazi sociale dhe janë në pajtueshmëri me vërejtjet e kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Mijëra amendamentet e VMRO-së, vetëm një mundësi mund ta “shpëtojë” Parlamentin e Maqedonisë nga bllokimi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button