Ankaraja shtyn Maqedoninë në NATO?

Sipas gazetës turke “Hyriet”, e cila i referohet burimeve diplomatike, Ankaraja ka vendosur si prioritet në samitin e Aleancës ta vë në agjendë promovimin e planeve të Maqedonisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Gjeorgjisë për anëtarësim në NATO.

Ndonëse Samiti nuk do të fokusohet, as që do të sjell ndonjë vendim të madh për zgjerimin, Turqia fuqishëm do të insistojë që aleatët të mos lejojnë ngecjen e procesit dhe të ndërmarrin detyrime konkrete për dërgimin e ftesave për anëtarësim deri te këto vende tashmë në samitin e radhës, në pajtim me përparimin e bërë”, shkruan gazeta turke “Hyriet”.

Sipas burimeve diplomatike të gazetës, çështja e anëtarësimit në NATO është faktor kyç për stabilizimin e Ballkanit, me ç’rast ata veçmas theksojnë shembullin e Maqedonisë.
“Siç prolongohet anëtarësimi i Maqedonisë në Aleancë, ekziston shqetësim se vendi mund të përballet me tensione të reja etnike. Andaj i inkurajojmë vendet anëtare të shikojnë në këtë çështje sikur në prioritetin më të madh”, deklaruan burimet e gazetës turke.

Përpjekje personale të Ankarasë për samitin e radhës në Çikago, sot i është përcjellë edhe shefit të diplomacisë Nikolla Poposki, i cili qëndron për vizitë në Turqi. Do të bëjmë çmos që Maqedonia ta fitojë vendin e merituar në bashkësinë ndërkombëtare dhe do ta mbështesim anëtarësimin e vendit në NATO, e siguroi Poposkin kolegu i tij turk Ahmet Dautogllu dhe kryeparlamentari turk Xhemil Çiçek.

Paralajmërimet e tilla të Ankarasë, hasën në kritika të ashpra në Athinë. Gazeta greke “To vima”  botoi një tekst me titull “Turqia dhe Shkupi – dorë mbi dorë”, në të cilin praktikisht i akuzon dy vendet se i punojnë pas shpine Greqisë me qëllim që Maqedonia megjithatë të gjendet në agjendën e samitit në Çikago.

“Burime diplomatike greke kyçin edhe alarmin paralajmërues”, pohon gazeta sipas të cilës nismën e tillë të Ankarasë janë të gatshëm ta mbështesin edhe vendet tjera, para se gjithash Sllovenia, Kroacia, Norvegjia, madje edhe Britania e Madhe. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button