Itali, sot mbahen zgjedhjet e përgjithshme

Qytetarët me të drejtë vote në Itali do të votojnë për të përcaktuar anëtarët në Dhomën e Deputetëve dhe në Senatin Republikan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme të Italisë, procesi i votimit fillon në orën 07:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 23:00, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve pritet që të qartësohen gjatë ditës së nesërme.

Në Itali ndodhen rreth 51 milionë votues të regjistruar. Për Dhomën e Deputetëve do të mund të votojnë qytetarët italianë që kanë mbushur moshën 18 vjeç, ndërsa për të përcaktuar përfaqësuesit e Senatit Republikan qytetarët që kanë mbushur moshën 25 vjeç.

Ndërkohë rreth 4.1 milionë qytetarë me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit kanë votuar, ku me votat e ardhura nga jashtë vendit do të përcaktohen 12 anëtarë të Dhomës së Deputetëve dhe 6 anëtarë të Senatit Republikan.

Afërsisht 46.6 milionë votues kanë të drejtë të votojnë në gjithsej 61,552 pika votimi në 20 rajone zgjedhore të Italisë, për të zgjedhur 618 përfaqësues në Dhomën e Deputetëve dhe 42.8 milionë votues do të përcaktojnë 309 anëtarët e Senatit Republikan të Italisë.

Për 630 vendet në Dhomën e Deputetëve do të garojnë 3.901 kandidatë, kurse për 315 vendet në Senatin e Republikës së Italisë në garë marrin pjesë 1.958 kandidatë.

– Tre blloqe kryesore, qendra e majtë, qendra e djathtë dhe M5S

Në fletëvotimet ku do të jenë të pranishme më shumë se 30 parti, kryesojnë disa aleanca dhe parti. Tre blloqet kryesore të garës janë aleanca e qendrës së majtë, aleanca e qendrës së djathtë dhe Lëvizja 5 Yjet (M5S).

Në aleancën e qendrës së majtë që udhëhiqet nga Partia Demokratike (PD) nën drejtimin e Matteo Renzi që aktualisht ndodhet në qeverinë e koalicionit në pushtet, ndodhen Partia Liberale Evropiane e Emma Bonino, Partia së Bashku e Giulio Santagata dhe Partia Lista e Popullore Civile e Beatrice Lorenzin.

Në aleancën e qendrës së djathtë gjendet partia Forza Italia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, partia e së djathtës ekstreme Liga e Matteo Salvinit, partia e së djathtës ekstreme Vëllezërit e Italisë e Giorgia Melonit dhe Partia Demokristiane “Ne me Italinë” e Raffaele Fitto-s.

Përpos dy aleancave kryesore që do të marrin pjesë në zgjedhje, disa parti do të garojnë të vetme. Kundërshtari më i fuqishëm i aleancave është Lëvizja Pesë Yjet (M5S) nën kryesimin e 31 vjeçarit Luigi Di Maio-s.

Një tjetër parti e rëndësishme që do të marrë pjesë në zgjedhje është edhe Partia Social Demokrate për Liri dhe Barazi (LeU) që udhëhiqet nga Pietro Grasso. Partia Social Demokrate për Liri dhe Barazi pritet të marrë disa nga votat e partisë së majtë në vend.

– Sipas anketimeve më pranë fitores është aleanca e qendrës së djathtë

Sipas anketave të realizuara nga kompanitë hulumtuese si Demor, Euromedia dhe IPR, popullariteti i së majtës së moderuar sillet në 25-28 për qind, ndërsa ai i Lëvizjes Pesë Yje në 26-28 për qind.

Sipas anketave të fundit, më afër pushtetit është aleanca e së djathtës së moderuar me 35-38 për qind të votave. Në rast se votat e “votuesve të pavendosur” të cilat janë goxha të larta në vend, drejtohen drejt aleancës së djathtës së moderuar atëherë kjo forcë mund të vijë e vetme në pushtet.

– Ligj i ri për zgjedhjet

Italia drejt kutive të votimit do të shkojë me ligjin e ri të zgjedhjeve “Rosatellum 2.0” të aprovuar vitin e kaluar. Me këtë ligj, nga katër për qind që ishte prej vitit 1993, pragu zgjedhor u ul në tre për qind.

Sipas këtij ligji, një e treta e numrit të ulëseve në parlament do të përcaktohet nga shumica, ndërsa dy të tretat nga parimi i përfaqësimit proporcional. Për të mundësuar balancën gjinore, ligji ndalon që nga një parti të ketë mbi 60 për qind nga njëra gjini.

Me ligjin e ri, partitë të cilat para zgjedhjeve bëjnë aleanca dhe marrëveshje koalicioni kanë avantazh në aritmetikën e ulëseve në krahasim me partitë të cilat drejt zgjedhjeve shkojnë të vetme.

Sot gjithashtu në rajonet e Lazio dhe Lombardisë në Itali, do të votohet edhe për përcaktimin e kryetarit rajonal dhe këshillit rajonal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button