Meta: Mesazhi i bashkimit të shqiptarëve, mbetet aktual

Presidenti i Republikës të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore që zhvillohen me rastin e 574-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës tha se mesazhi i bashkimit të të gjithë shqiptarëve mbetet ende aktual, transmeton ATSH.

“Sot ne përkujtojmë Besëlidhjen e Lezhës, veprën më të madhe që ka bërë Heroi ynë, Skënderbeu”, tha kreu i shtetit në fjalën e mbajtur në ceremoninë e zhvilluar në Obeliskun e Besëlidhjes.

Mesazhi i bashkimit të të gjithë shqiptarëve, për të bërë vepra të mira, në mbrojtje të interesit e lartësimit të kombit dhe përcaktimit të qartë të identitetit tonë europian, sipas Metës, mbetet ende aktual.

“Mesazhi kryesor që jep kjo Besëlidhje është bashkimi në interes të kombit; atë të sinergjisë pozitive të gjithë shqiptarëve për të bërë vepra të mira, të cilat i qëndrojnë kohës”, tha Meta.

Meta gjithashtu theksoi se 2 Marsi është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët.

“Ne kujtojmë jo vetëm veprën më të madhe që ka bërë Gjergj Kastriot Skënderbeu, bashkimin e shqiptarëve, duke e nisur me Besëlidhjen e Lezhës, por njëkohësisht përkujtojmë dhe të gjitha ngjarjet e tjera të cilat shpëtuan kombin tonë nga rreziku i asimilimit dhe i shpërbërjes, udhëhoqën të gjitha gjeneratat drejt besëlidhjeve të mëpasshme, që nga ajo e Prizrenit, nga Kongresi i Manastirit, që nga Shpallja e Pavarësisë në Vlorë, e deri tek ngjarjet madhore të cilat sollën ekzistencën e shtetit të Kosovës që festoi pak ditë më parë 10-vjetorin e tij”, tha Meta.

Duke theksuar rëndësinë e figurës së Heroit Kombëtar, Presidenti shprehu besimin se në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, të gjithë do të bëjnë gjithçka që t’i qëndrojmë këtij mesazhi për të forcuar akoma më tej pozitën e Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve kudo në rajon dhe në botë, si një vend dhe si një komb i qytetëruar, sepse flasim për arritje të reja, për integrimin evropian.

“Nuk ka kontribut më të veçantë dhe më të shquar se sa ai i Skënderbeut në bashkimin e kombit dhe mbrojtjen e vlerave evropiane. Kjo është arsyeja që figura e Skënderbeut është e njohur në të gjithë Evropën. Kjo është arsyeja që për të janë bërë jo vetëm vepra të jashtëzakonshme artistike, por njëkohësisht është një figurë që sot na prezanton përsëri në mënyrën më të denjë, kudo”, tha Meta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button