Vizat japoneze për qytetarët e Kosovës do të jepen në Tiranë

Japonia ka pranuar kërkesën e ministrit të Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli, që vizat për qytetarët kosovarë që duan të udhëtojnë në Japoni, të jepen në Ambasadën e këtij vendi në Tiranë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga MPJ e Kosovës thuhet se kjo notë verbale japoneze ka mbërritur sot, pas takmit të djeshëm midis dy ministrave të Jashtëm të Japonisë dhe Kosovës, Taro Kono dhe Behgjet Pacolli në Tokio.

“Ky është një lehtësim i konsiderueshëm për shtetasit e Kosovës, duke patur parasysh se deri më tani, vizat për ta jepeshin në Ambasadën e Japonisë në Vjenë. Gjatë takimit të djeshëm pala japoneze premtoi se do ta merrte parasysh kërkesën e shefit të diplomacisë së Kosovës për regjim pa viza, në rast se Bashkimi Europian do t’i heqë vizat për kosovarët në të ardhmen e afërt”, thuhet në MPJ.

Nga ana tjetër, në ditën e dytë të vizitës së ministrit Pacolli, shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në Tokio kanë realizuar takime me drejtuesit kryesorë të JICA, (Agjencia Japoneze e bashkëpunimit ndërkombëtar), dhe të JBIC (Banka Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar), përkatësisht me Kazuhiko Koshikawa dhe Tadashi Maeda, ministrin e Shtetit për Financat, Kenichiro Ueno, me ministrin e ngarkuar për lojërat “Tokio Olympic and Paralympic Games Shunichi Suzuki”.

Gjatë këtyre takimeve, ministri Pacolli ftoi investitorët japonezë të vijnë në Kosovë në vendin e mundësive dhe lehtësive të mëdha për ndërmarrësit, afër tregut europian prej 500 milionësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button