“Asnjë fjalë nuk mund të përshkruajë dhimbjen që përjetojnë miliona fëmijë në Siri”

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), tha se presin që regjimi sirian të përmbushë premtimin e dhënë për dërgimin e ndihmave drejt 180 mijë civilëve në Gutën Lindore e cila gjendet nën bllokadën e regjimit të Asadit dhe se të dielën mund të nisen 8 autokolona me ndihma, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Geert Cappelaere në konferencën për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, tha se sulmet në Gutën Lindore vazhdojnë pavarësisht vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për “armëpushim humanitar” 30 ditor.

Cappelaere bëri të ditur se është marrë leje nga regjimi i Asadit për dërgimin e 8 autokolonave të OKB-së të përbëra nga ushqime dhe materiale mjekësore në rajonin e Gutës Lindore, duke filluar nga Duma.

“Shpresojmë në realizimin e kësaj. Që nga e shtuna presim nisjen e autokolonave”, tha drejtori i UNICEF-it.

Ai tha se nga 400 mijë civilë që jetojnë në Gutën Lindore, 200 mijë janë fëmijë. Cappelaere thekson se në autokolonat që pritet të nisen të dielën ka ndihma humanitare të mjaftueshme për 70 mijë fëmijë.

– Ende nuk është dhënë leja për evakuimin e mijëra të plagosurve dhe të sëmurëve

Cappelaere më tej pohoi se ende nuk kanë arritur në një marrëveshje me regjimin sirian sa i përket furnizimit me ndihma humanitare për pjesën tjetër të civilëve të Gutës Lindore e as për evakuimin e mbi 1.000 të plagosurve dhe të sëmurëve në rajon.

Ai bëri të ditur se për t’u mbrojtur nga bombardimet, të gjithë fëmijët e rajonit jetojnë me familjet e tyre në tunelet nëntokësore. “Disa zyrtarë të UNICEF-it në rajon u japin mësim nxënësve nëpër shpella. Fatkeqësisht kjo është gjendja”, tha Cappelaere.

Duke rikujtuar në njoftimin “e zbrazët” për media, të publikuar javën e kaluar në shenjë proteste ndaj sulmeve në Gutën Lindore, Cappelaere tha se: “Tanimë asnjë fjalë nuk mund të përshkruajë dhimbjen që përjetojnë miliona fëmijë në Siri”.

Cappelaere shtoi se si pasojë e luftës së brendshme në Siri, 5.4 milionë fëmijë janë refugjatë në vendet fqinje si Turqia, Libani dhe Jordania dhe bëri thirrje për ndalimin e dhunës ndaj Gutës Lindore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button