Hulumtim: Nëse Maqedonia nuk hyn në NATO, duhet zgjedhje të parakohshme?

Portali Skaj publikoi pjesë të anketës së zbatuar nga Qendra për hulumtim dhe analizë (QHA) të mbajtur nga 20 deri më 25 mars të vitit 2012 mbi 1360 të anketuar, në atë që mund të konstatohet nga hulumtimi është se qytetarët dëshirojnë që Maqedonia të hyjë në NATO, por nuk besojnë se në samitin në Çikago shteti do të arrijë të bëhet anëtare e plotfuqishme.
Në pyetjen “Nëse Maqedonia refuzohet në samitin e NATO-s në Çikago, a mendoni se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme?”, plot 51.58 për qind e të anketuarve u përgjigjën se zgjedhjet janë domosdoshmëri, me përgjigje negative dolën 28.99 për qind e qytetarëve, ndërsa nga ana tjetër 19.43 për qind deklaruan se nuk e dinë.

“Rezultatet e tilla, gjegjësisht dëshira e shprehur pozitive e qytetarëve lidhur me këtë temë, tregojnë për nevojën e ardhjes në pushtet të një faktori i cili me përgjegjësi dhe në dobi të shtetit dhe qytetarëve do ta fus Maqedoninë në NATO. Siç edhe thekson pyetja e 8-të, dëshira e qytetarëve për anëtarësim të Maqedonisë në BE dhe NATO është thuajse konsensuale, andaj të njëjtit pas një epilogu të tillë negativ në samitin në Çikago dëshirojnë ndërrimin e pushtetit, ose të paktën ndërrimin e politikës në aspektin e integrimeve evroatlantike, theksojnë nga Qendra për hulumtim dhe analizë.

Të gjithë për NATO, por shumica nuk presin hyrje

Qytetarët e Maqedonisë në pyetjen se a mendojnë se vendi do të bëhet anëtare e NATO-s në samitin e radhës, me 37.26 për qind përgjigjën se nuk presin, ndërsa 26.14 për qind u përgjigjën me Po. Me  nuk e di u përgjigjën 36.60 për qind e të anketuarve.
Në pyetjen nëse Maqedonia duhet të integrohet në NATO, rekord 70.37 për qind e qytetarëve u shprehën se janë për integrim, ndërsa 15.88 për qind u përgjigjën negativisht ndaj kësaj pyetje.

Në pyetjen “A mendoni se Qeveria e R.Maqedonisë zhvillon politikë të drejt lidhur me integrimet evroatlantike”, 42.009 për qind e qytetarëve u përgjigjën se Qeveria nuk bën politikë të drejtë lidhur me integrimet, ndërsa 32.01 për qind u shprehën pozitivisht mbi këtë pyetje. I madh është numri i qytetarëve që janë shprehur me nuk e di, gjegjësisht 25.90 për qind.

Si u zbatua anketa?

Anketa u zbatua në 15 qytete edhe në Shkup, Veles, Tetovë, Gostivaar, Kërçovë, Ohër, Manastir, Prilep, Kavadar, Shtip, Koçani, Strrumicë, Kumanovë dhe Dellçevë.
Hulumtimi u zbatua prej 20.03.2012 deri më 25.03.2012. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button