Femrat ”As” të Strugës

Edhe pse ka një kohë të shkurtër që nga themelimi, Klubi i Futbollit të femrave ”As” nga Struga, po konsolidohet dhe po arrin të etablohet mirë në skenën e futbollit për femra në vend, dhe pretendohet, që gjatë këtij viti të arrijnë të garojnë edhe në ligën e parë të Maqedonisë.

Lumturie Hasani, zëvendës kapitene e ekipit ”AS”, potencon se lojtaret e këtij ekipi po ndërrojnë mentalitetin e ngulitur në Strugë dhe më gjerë, se futbolli është vetëm për meshkujt.

”Nuk është aspak e lehtë, por me dëshirën e mirë dhe mbështetjen e prindërve, dhe të trajnerit tonë Astrit Merko, i kemi tejkaluar këto barriera. Nuk mund të përshkruhen ndjenjat dhe emocionet që të ofron fusha e blertë, sidomos kur prek edhe fitoren. Japim më të mirën nga vetja dhe mundohemi që të realizojmë objektivat që i kemi si ekip”, thekson ajo.

Për zv/kapitenen e ”As” Lumturie Hasani, ky formacion futbollistik nuk do të ishte në këto nivele pa mbështetjen e trajnerit Astrit Merko, i cili arriti të krijoj një skuadër të cilën nuk është e lehtë ta mposhtësh.

”Ekipi jonë ka një mbështetje të madhe nga trajneri Astrit Merko. Falë atij arritëm të bëjmë një skuadër që nuk është e lehtë ta mundësh. Prandaj e falënderojmë shumë, që përgjatë kësaj rruge ka pasur kujdesin maksimal dhe seriozitetin ndaj këtij angazhimi”, përfundon Lumturie Hasani.

Në ekipin e futbollit “AS” të Strugës, aktivizohen: Lumturie Asani, Besmira Adili, Arlinda Adili, Ruhije Reçi, Elmedina Ali, Brikena Bekri, Flora, Ditlinda Xhelo, Qëndresa Xhelo, Yllza Maksuti, Sheqibe Ali, Velerda Reçi, Almina Rizai, Almira Rizai, Qëndresa Kala, Besa Lleshi, Maxhide Isa, Antigona Hisa, Antigona Dauti, Amiet Pushkule, Albnora Murtishi, Betime Ademi, Arlinda Sela./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button