Kryeredaktorja e Portalb-it, Zylbeari: Lajmet e rreme janë problem serioz në Maqedoni

Kryeredakorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari e ftuar në emision “Click” të “Tv 21” duke folur për fenomenin e “fake news” apo lajmeve të rreme ka treguar edhe mënyrën se si mund të dallohen ato nga lajmi i vërtetë.

Duke komentuar lajmin e fundit ku u tha se kryeministri i Maqedonisë, “Zoran Zaev thotë se është shqiptar ortodoks”, Zylbeari sqaroi që lajmi të duket i vërtetë erdhi si rezultat se kishim kombinim të elementeve reale me deklaratë të pavërtetë- të cilave iu shtua edhe elementi manipulativ dhe sensacional i, siç i quan ajo “platformave onlajn”.

“Zanati i mirë është se dikush kombinon elemente të vërteta, sepse kishim pamjen e Zoran Zaevit duke folur. Fjalimi ishte i sinkronizuar, kurse sinkronizimi nuk ka të bëjë fare me atë çfarë flet në realitet kryeministri i Maqedonisë. Në video Zoran Zaev flet për shitjen në treg. Mediat përdorën fakte deri diku reale, jo fiktive, të njëjtat i ngërthyen në pjesën e tyre manipulative dhe sensacionale apo bombastike me çka më pas e lëshuan në kanalet e tyre të internetit si lajm të vërtetë”, tha Zylbeari.

Zylbeari bëri të ditur se Fondacioni “Metamorfozis“, projekt i të cilit është Portalb.mk, nëpërmjet mësimeve gazetareske të cilat u dhanë në Shërbimin për Verifikimin e Fakteve në vazhdimësi ka luftuar lajmet e rreme me çka bëri të ditur se tashmë ka nisur edhe iniciativa e re që për qëllim ka të ngrit vetëdijën dhe mendimin kritik të publikut për informim të saktë.

LEXO: Portalb pjesë e iniciativës gjermane për luftimin e lajmeve të rrejshme dhe propagandës mediale

Kryeredaktorja Zylbeari foli gjithashtu edhe për fenomenin e ndikimit të mediave nga jashtë Maqedonia- se si Nikolla Gruevski u bë protagonist në mediat e Kosovës pasi që i njëjti u largua nga posti i kryeministrit të Maqedonisë.

“Ishin mediat kosovare që e ftuan në intervistë ish kryeministrin  e Maqedonisë, Gruevski. Ne dhjetë vite nuk mundeshim të marrim informatë, siç duam ne, me pyetjet tona, dhe vjen në fund merr një prononcim nga Kosova, një medium i cili asnjëherë nuk është interesuar esencialisht apo thelbësisht me situatën tonë”, tha Zylbeari.

Në lidhje me mediat onlajn që nuk kanë impresum, Zylbeari të njëjta nuk i quan media, por platforma onlajn.

“Unë nuk i quaj media, apo platforma onlajn. Secili mund të hapë një bllog në internet apo portal, të vendos një llogo, të duket si një media profesionale”, tha Zylbeari duke shtuar se kjo është edhe arsyeja kryesore që në Maqedoni kemi lajme të rreme.

Megjithatë, ajo vlerësoi se në këtë problematikë rol të rëndësishëm ka edhe Gjykata e cila nuk i njeh portalet si media.

Zylbeari: Zgjidhja për kaosin e portaleve është vetërregullimi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button