35.000 amendamentet e VMRO-së për ligjin për gjuhët, Xhaferi pret zgjidhje

“Mos pritni prej përpara t’u tregoj”, kjo ishte përgjigja e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, në pyetjen e Portalb.mk, se kur pritet të përfundojë saga me 35.000 amendamentet e VMRO-DPMNE-së për ligjin e gjuhëve, njofton Portalb.mk.

“Kërkohet dalje e duhur për atë situatë. Janë tejkaluar të gjitha çështjet teknike dhe kjo është çështje politike. Komunikoj me përfaqësuesit e grupeve të deputetëve duke i përfshirë edhe të VMRO-DPMNE-së. Mendoj se jemi afër zgjidhjes, por mos pritni të ju tregoj prej përpara”, tha Xhaferi, në takimin jo-formal me gazetarët.

Në lidhje me atë se a është e mundur që seancat plenare të Kuvendit të ndahen në dy pjesë apo në dy orare, që në njërën pjesë të diskutohen amendamentet e VMRO-DPMNE-së, ndërkaq në tjetrën të diskutohet apo miratohen ligje tjera, Xhaferi tha se ajo nuk është zgjidhje.

“Teknikisht është e mundur ajo, ne e kemi bërë në të kaluarën kur kemi qëndruar edhe natën, por fizikisht është çështja nëse rrinë të gjithë deputetët. Kjo nuk është zgjidhje pasi që edhe bllokohet puna e Kuvendit”, tha Xhaferi.

I pyetur nëse zgjidhja do të ishte që të debatohet për amendamentet e VMRO-DPMNE-së, Xhaferi tha se hapja e debatit për ta do të ishte bllokadë e punës së Kuvendit.

Për Ligjin për gjuhët u bë fjalë edhe në takimet me tre eurodeputetët Ivo Vajgëll, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan, të cilët janë iniciatorë të bisedimeve në kuadër të procesin Zhan Mone.

Takimi i parë me përfaqësuesit e partive parlamentare, duke e përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në pritet të mbahet më 15 mars, por nëse nuk sigurohet prania e eurokomisarit Johanes Han dhe ekspertëve, bisedimet do të mund të shtyhen për në maj.

Xhaferi konsideron se së shpejti, opozita do të mund të përfshihet sërish në punën e Kuvendit.

Vazhdon bllokada

Mbi 35 mijë amendamentet e propozuara nga VMRO-DPMNE-ja për ligjin e gjuhëve, e kanë paralizuar punën e Kuvendit. Edhe vetë kryeparlamentari Xhaferi, të njëjtat i ka cilësuar si bllokadë të Kuvendit të Maqedonisë, ndërkaq nga ana tjetër VMRO-DPMNE thirret në atë se ato kanë për synim të arrijnë barazi sociale dhe janë në pajtueshmëri me vërejtjet e kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Xhaferi ligjin për përdorimin e gjuhëve disa herë e ka cilësuar si ligj tashmë të miratuar dhe ka thënë se nuk mund të pranohen amendamente shtesë për shkak se kjo do të binte në kundërshtim me vetë Kuvendin i cili paraprakisht e kaloi në leximin e dytë.

Shumica kanë konfirmuar se koordinohen për të gjetur mekanizma për miratimin e serishëm të ligjit pasi opozita ka bërë të qartë se nuk heq dorë nga amendamentet, transmeton Portalb.mk.

Si të zhbllokohet situata?

Sipas ekspertëve, që mos të shkelet rregullorja si dhe nga ana tjetër mos të merret Kuvendi vetëm me një ligj dhe të neglizhojë ligjet tjera, seancat plenare mund të ndahen në dy pjesë. Në një pjesë të diskutohen amendamentet e ligjit dhe gjysmën tjetër të miratohen ligjet tjera duke pasur parasysh se faza e ardhshme gjashtëmujore është e rëndësishëm për Maqedoninë dhe priten të miratohen ligje të rëndësishme që përcaktojnë edhe fatin evro-atlantik të Maqedonisë.

Kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi tha se nëse VMRO-DPMNE-ja nuk heq dorë nga amendamentet, kurse nuk shpreh vullnet as për konsensus politik, do të ndërmarrë hap tjetër duke mos specifikuar se për çfarë bëhet fjalë. Sipas ish kryeparlamentarit të Maqedonisë, Stojan Andov, Xhaferi mund ta shkelë rregulloren e Kuvendit.

“Hapi që duhet të merret nga Talat Xhaferi është jashtë çdo procedure kuvendare siç janë edhe 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së që janë jashtë çdo procedure”, tha Andov.

Mijëra amendamentet e VMRO-së, vetëm një mundësi mund ta “shpëtojë” Parlamentin e Maqedonisë nga bllokimi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button