Zaev për “Fajneshëll Tajms” : Emri “Maqedonia e Re” është i papranueshëm

Kryeministri i Maqedonisë në intervistën për “Fajneshëll Tajms” vlerëson se Maqedonia dhe Greqia po afrohen drejt zgjidhjes së kontestit shumëvjeçar për emrin.

Zaev thekson se kjo çështje do të mund të mbyllet para Samitit të NATO-s në Bruksel në korrik të këtij viti prej ku Maqedonia pret ftesë për anëtarësim.

“Jam optimist. Është shumë vështirë, dhe jemi të vetëdijshëm për këtë. Por, do të ishte mirë për të dyja palët të gjejmë zgjidhje sa është e mundur më shpejt”, thotë Zaev.

Përsërit se nuk është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë, në çfarë insiston pala greke si garanci për marrëveshje eventuale.

“Tani kërkesa e re nga Greqia është se duhet të bëjmë ndryshim të Kushtetutës sonë. Por, Kushtetuta është vetëm libër me rregulla vendore dhe nuk ka kurrfarë implikimesh jashtë vendit. Në çdo rast ndryshimi i Kushtetutës nuk do të thoshte garanci përfundimtare, sepse ndonjëra Qeveri e ardhshme në të ardhmen do të  mundte përsëri ta ndryshojë Kushtetutën”, thotë Zaev.

Për emrat të cilat në opinion  përmenden si propozime të ndërmjetësuesit Methju Nimic (Republika e Maqedonisë (Shkupi), Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, Maqedonia  e Vardarit dhe Maqedonia e Re), Zaev potencon se emri Maqedonia e Re është i papranueshëm, sepse nuk ka përcaktim gjeografik, dhe se mund të negociohet për katër emrat e tjerë.

LEXO: Zaev i tregoi katër ofertat e Maqedonisë për çështjen e emrit

Në intervistë për “Fajnenshëll tajms” Zaev vlerëson se integrimi i Maqedonisë në NATO duhet të shkojë përpara pa dallim të kundërshtimit rus  për zgjerim të Aleancës.

“Rusia nuk ka asgjë kundër integrimit tonë në BE, por nuk sheh aq pozitivitet  në integrimin tonë në NATO. Kemi marrëdhënie të mira me Rusinë. Ato duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk ka alternativë tjetër për vendin tonë përveç integrimit në BE dhe NATO”, deklaroi Zaev.

Në lidhje me përkrahjen e opozitës për marrëveshje eventuale me Greqinë, duke e pasur parasysh se është e domosdoshme të ratifikohet  në parlamentet e të dy vendeve, Zaev thotë se ajo ndoshta edhe nuk do të shkojë ashtu lehtë.

“Edhe në të dy vendet ekziston shumë nacionalizëm, kritikë, njerëz dhe grupe të cilat janë kundër marrëveshjes”, thotë Zaev për “Fajnenshëll Tajms”.

Kontesti 25-vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Çeshtja e emrit, Maqedoni - Greqi

Çeshtja e emrit, Maqedoni – Greqi, ilustrim

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, dy prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia Veriore.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button