Çështja e emrit po “zgjidhet” me porosi nëpër media, në pritje të vizitës së Koxiasit

Pasi që kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, është deklaruar publikisht për qëndrimet në disa media të jashtme, gazetat greke të cilat thirren në burime të negociuesve thonë se zgjidhja e problemit me emrin ka hyrë në fazë kritike, njofton Portalb.mk.

Kryeministri Zaev në intervistë të publikuar në gazetën gjermane “Shpigel” dhe për TV rrjetin Euronews, ka  theksuar disa pika të cilat janë të papranueshme për Maqedoninë: Emri i cili nuk do të përkthehet në gjuhë tjera, ndërrimi i Kushtetutës dhe se nuk ka bisedime për identitetin.

Zoran Zaev
Zoran Zaev
Foto: Der Spiegel

“Kushtetuta është libër i brendshëm dhe nuk ka pasoja jashtë nga vendi, për atë nuk është e nevojshme që të ndërrohet”, tha Zaev për “Euronews”.

Ai vlerëson se është i mjaftueshëm revizioni i Kushtetutës së vitit 1993 kur është bërë për shkak të ashtu siç tha ai, që miqtë tanë grekë të ndjehen më mirë.

Kryeministri Zaev për gazetën gjermane “Shpigel” e ka hedhur poshtë kërkesën e palës greke, zgjedhjen për kontestin me emrin që emri i ri i Maqedonisë të mos përkthehet në gjuhë tjera dhe të shfrytëzon në transkriptim origjinal.

“Ky emër është krenaria jonë dhe identiteti jonë. Nuk shoh kurrfarë arsye për kërkesën, që ta ndërrojmë emrin kushtetues, ajo nuk është e dinjitetshme. Greqisë i nevojitet partner i besueshëm, dhe jo partner pa dinjitet. Kushtetuta mund të ndërrohet, por ato ndryshime do të mundeshin përsëri që të ndryshohen. Garancia më e rëndësishme për Greqinë është që zgjidhja e kontestit për emrin të jetë i qëndrueshëm. Ajo bëhet me marrëveshje ndërkombëtare, të cilat ratifikohen dhe vlejnë edhe në organizatat ndërkombëtare”, deklaroi Zaev, transmeton Portalb.mk.

Porosi nëpërmjet mediave

Ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Katrugalos kërkon zgjidhje në mënyrë të përhershme dhe të fshehtë, e cila në të ardhmen nuk do të ndryshojë dhe nuk do të lë hapësirë për irredentizëm dhe se këto janë dy karakteristikat e marrëveshjes që Greqia i dëshiron me Maqedoninë. Ndërsa, opozita e cila përmes përgjegjësit për politikë të jashtme në Demokraci të Re, Jorgos Kumucakos, dërgoi kritika të ashpra deri te Qeveria greke se nuk i informon as partitë, as qytetarët, për bisedimet me emrin, ndërsa informacionet e vetme arrijnë ose nga jashtë ose nga mediat.

Mediat greke
Mediat greke

Sipas gazetës “Katimerini” emri, spektri i përdorimit, gjuha, identiteti, përdorimet tregtare, shkurtimet dhe akronimet janë shtatë pikat që i përmban propozimi grek në projekt marrëveshjen. Siç njofton MIA, këto në të vërtetë janë edhe pikat, që vetë Koxias i përmend, në intervistën për TV ERT shtetërore, muajin e kaluar, kur për herë të parë zbuloi se Greqia do t’i parashtrojë Maqedonisë propozim për nënshkrim të marrëveshjes.

Gazeta komenton se identiteti dhe gjuha nga pala maqedonase përshkruhet si pika për të cilat nuk negociohet dhe thotë se një çështje është nëse Zaevi do të pranojë propozim të Ciprasit dhe se Maqedonia, në një kohë të arsyeshme do të duhet t’i ndërrojë të gjitha dokumentet shtetërore personale, siç janë letërnjoftimet, pasaportat dhe patentat e shoferëve.

Mediat greke e komentuan edhe vizitën e Junkerit në Maqedoni, ku theksi është vendosur në mesazhin e Junkerit se nevojitet që të zgjidhet çështja e emrit, por edhe në atë se pas arritjes në Shkup ka vërejtur që gjërat po ndryshojnë.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Çeshtja e emrit, Maqedoni - Greqi
Çeshtja e emrit, Maqedoni – Greqi, ilustrim

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, dy prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia Veriore.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button