Sulmohet Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasbourg të Francës

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Francë është sulmuar me ç’rast është hequr flamuri shtetëror nga objekti i Konsullatës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një reagimi Qeveria e Republikës së Kosovës dënon aktin e sulmit mbi Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasbourg, si dhe shkatërrimin e Stemës së Republikës së Kosovës dhe heqjen e flamurit shtetëror nga objekti i Konsullatës.

Duke bërë të ditur se sulmi mbi Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasbourg dhe shkatërrimi i simboleve shtetërore ka ndodhur në fundjavën e kaluar, në një njoftim me shkrim nga Zyra e Kryeministrit thuhet se ky është një akt i papranueshëm që cenon integritetin e shtetit të Kosovës.

“Republika e Kosovës është shtet sovran që respekton ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare dhe vepron me përgjegjësi në marrëdhëniet ndërkombëtare si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit. Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh indinjatën e thellë ndaj këtij akti dhe duke vlerësuar angazhimin e menjëhershëm të organeve franceze, kërkon nga ato që të zbulojnë dhe të kapin autorët si dhe t’i nxjerrin ata përpara drejtësisë”, thuhet në njoftim.

– Pacolli dënon sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka dënuar fuqishëm sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasbourg të Francës.

Në një komunikatë me shkrim nga MPJ thuhet se Pacolli ka dënuar ashpër aktin e vjedhjes së flamurit dhe shkatërrimit të Stemës së Republikës së Kosovës, i cili ndodhi gjatë fundjavës që shkoi në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasbourg.

“Dënoj fuqishëm sulmin vandal ndaj institucioneve dhe simboleve shtetërore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasbourg. Falënderoj reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë e institucioneve franceze të sigurisë që t’i përgjigjen shpejt kërkesës tonë për hetim dhe presim që kryerësit e këtij akti të ulët të nxirren para drejtësisë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze në lidhje me këtë rast”, ka thënë ministri i Jashtëm Pacolli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button