Skandali me shoqatën “fantome” ART, mësoni se kujt i takon dhe pse fitoi projektin nga Ministria (DOKUMENT)

Lidhja e Artistëve Shqiptarë ART -Tetovë që në opinion u etiketua “si shoqatë fantome” është themeluar që nga viti 2008 nga studentë të cilët kanë studiuar në Tetovë. Tash për tash kjo shoqatë funksionon në Kërçovë. Kryetar i saj nuk është Kujtim Saliu siç u tha në opinion, por Naim Zenku. Nuk është hera e parë që është financuar nga Ministria e Kulturës, por kjo e fundit nuk është financimi i vetëm i LASH ART, sepse ajo në vitin 2015, 2016 dhe 2017 ka marrë para edhe nga Komuna e Kërçovës.

Megjithëse Portalb arriti të sigurojë dokumente të buxheteve të shfrytëzuara, dokumentimi i aktiviteteve qe i pamundshëm.

Naim Zenku

“LASH  ART është themeluar në vitin 2008 në Tetovë nga një grup entuziastësh studentësh të asaj kohe të cilët si qëllim kanë pasur që të shtrijnë veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e shtetit në të cilin jetojmë, konkretisht në qytete me shumicë shqiptare, andaj edhe emërtimi saj në atë kohë është vendosur “Lidhja e Artistëve Shqiptarë ART”, ku për kryetar të saj kanë zgjedhur Kujtim Saliun”, tha Naim Zenku për Portalb.mk.

 

Kjo mund të vërehet edhe nga të dhënat e Regjistrit Qendror.

Kujtim Saliu tashmë nuk është kryetar, kjo vërehet edhe nga dokumentacioni i siguruar nga Portalb.mk. Ai u largua nga posti i kryetarit para tre muajve, “për shkaqe dhe obligime të aspektit profesional dhe familjar”-sqaron sekretari i ART, Naim Zenku.

Sipas dokumenteve të siguruara, ART ka siguruar para për vite me radhë nga buxheti komunal i Kërçovës.

Në vitin 2015 kësaj shoqate iu janë ndarë: 420,000 denarë

 

 

Në vitin 2016 kësaj shoqate iu janë ndarë: 240,000 denarë

Ndërsa në vitin 2017: kësaj shoqate iu janë ndarë: 210,000 denarë

 

Më vitin 2016, ART ka realizuar:
– “Atdheu na Bashkon”
– “Trashëgimia kulturore e rrethit të Kërçovës” në vlerë prej 240.000 denarë.
“Të dy këto projekte janë realizuar në njërin nga në stadiumin e qytetit me lojëra sportive në futboll, ping-pong e më vonë në volejboll, të shoqëruara nën tingujt e muzikës së këngëve qytetare mes njerëzve tanë të ardhur nga mërgimi dhe sportdashësve kërçovarë për grupmosha të ndryshme. Ndërsa projekti tjetër i trashëgimisë sonë kulturore është organizuar në sheshin e qyteti me koncert festiv, ushqime tradicionale, hapësira në të cilat kanë qenë të ekspozuara edhe veshjet tona tradicionale”, thuhet në sqarimin e LASH ART.

Më vitin 2017 ka realizuar:
– “Krijimtari bashkëkohore”;
“Është realizuar nga studio Art me udhëheqës të saj Abdi Sadiku i cili ka realizuar disa spote me talent të vegjël dhe artistët tanë kërçovarë, me një vlerë prej 70.000 denarë”, thanë nga ART.
“20 vjetori shenjtërimit të Nënë Terezës”.
– “10 qershori Lidhja Shqiptare e Prizrenit”;

“Ngjarje të cilat janë kujtuar përmes realizmit të dokumentareve me vlerë prej 140 mijë denarësh”.

Por kjo shoqatë nuk ka marrë vetëm financa nga Komuna e Kërçovës, siç jemi dëshmitarë, ART më vitin 2018 arriti të sigurojë rreth 40 mijë denarë nga Ministria e Kulturës për tre projekte kulturore. Ministria ka financuar edhe më parë projekte edhe atë për projektet:
“Ekspozitë e veshjeve dhe  instrumenteve popullore” me një vlerë prej 50.000 denarësh.
“Evenimenti është realizuar gjatë muajit gusht në afërsi të muzeut të qytetit tonë nga ku dhe kemi shfrytëzuar për të vizituar ambientet e këtij muzeu për qytetarët që kishin kureshtje për të parë nga afër edhe veshje tona të shoqëruara nga elemente të trashëgimisë sonë kulturore”.
“Shfaqe me këngë korale dhe instrumentale” në vlerë prej 40.000 denarë.
“Evenimenti është shfaqur në Shtëpinë e Kulturës në Kërçovë, në bashkëpunim me korin, grupin e baletit DM dhe instrumentistë kërçovarë gjatë festave të nëntorit”, sqaruan nga ART për Portalb.mk.

Projektet e financuara nga Ministria e Kulturës
Projektet e financuara nga Ministria e Kulturës

ART: ju sigurojmë se tre projektet do të realizohen në mënyrë profesionale

“Ju sigurojmë se projektet e fituara nga Ministria e Kulturës për vitin 2018 si që është Polifest, ndarja e ”Kupave ART”, për krijuesit e fushave të ndryshme që kanë të arritura profesionale dhe “Të njohim veten”, i cili synon nxjerrjen në sipërfaqe të vlerave historike të trashëgimisë sonë kulturore e pasurisë me të cilën karakterizohen viset tona se do ti realizojë me shumë profesionalizëm çka dëshmi do të jetë vetë opinioni vendas”, premtoi sekretari i LASH ART-Tetovë, Naim Zenku për Portalb.mk.

E nga kabineti i ministrit të Kulturës, Robert Allagjozovskit sqaruan se projektet e financuara nga Ministria e Kulturës do të shqyrtohen nga komisionet të cilat kanë vendosur për ato projekte. Megjithatë, shqyrtimi bëhet vetëm për projektet për të cilat është dorëzuar ankesë nga subjektet kulturore të caktuar. Ndërsa atyre të cilave u janë aprovuar të holla, të njëjtat mund të vazhdojnë me realizimin e projektit që në momentin e marrjes së njoftimin zyrtar. Njoftimi zyrtar bëhet varësisht subjekteve kulturore dhe në kohë të ndryshme.

Ministri Allagjozovski thotë se shumica e situatave kontestuese në programin vjetor janë zgjidhur

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button