fbpx

Bora ka bllokuar malësinë e Tetovës, as Ndihma e Shpejtë nuk mund të intervenojë

Bora që ka përfshirë Maqedoninë ka bllokuar fshatrat e malësisë së Tetovës. Portalb.mk ka kontaktuar me banorë të malësisë së Sharrit të cilët thonë se rrugët janë të bllokuara dhe lëvizja e tyre është vështirësuar. Ende më keq, shkaku i borës nuk mund të intervenojë as Ndihma e Shpejtë.

“Rrugët janë të pa lëvizshme dhe për momentin jemi duke pritur pastrimin e tyre” u shpreh një banor i malësisë së Tetovës, duke apeluar për intervenim sa më të shpejtë.

Afrim Aliu krye-shefi i ndihmës së shpejtë në Tetovë për Portalb.mk thotë se për momentin nuk mund të intervenojnë madje as në disa pjesë të qytetit e lërë me në malësinë e Tetovës.

“As me veturat malore nuk mund të lëvizim. Deri sa të pastrohen rrugët ne nuk mund të ngjitemi për tu ofruar qytetarëve ndihmën e  nevojshme” u shpreh Aliu.

Gjithashtu, të gjithë terminët që anë caktuar për vaksinim në malësinë e Tetovës janë anuluar shkaku i borës së pa pastruar.

Sipas drejtorit të qendrës për shëndet publik, Tahir Tahiri, ky problem është i trashëguar dhe se në dispozicion ka vetëm dy vetura të cilët nuk janë për terren malor.

”Është e vërtete se të gjitha vaksinimet janë anuluar. Që kur e mora postin kam kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë vetura për terren malor por ende nuk kemi marrë” u shpreh Tahiri për Portalb.mk

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës thotë që bora pastrohet në fshatrat e malësisë.

“Ekipet dhe makineritë për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në komunën e Tetovës sot kanë intervenuar në malësinë e Tetovës, respektivisht fshatrat Gajre, Lisec, Shipkovicë, Brodec, Veshallë, Bozovec, Llacë, Sellcë dhe Vicë si dhe në anën tjetër është intervenuar në rrugën për fshatin Xhermë. Nga ora 18:00 ka filluar edhe hedhja e kripës dhe pastrimi i rrugëve të qytetit përfshirë bulevardet kryesore dhe rrugët që lidhin qytetin me fshatrat që janë në kompetencë të komunës” thuhet në komunikatë.

Ndërkaq në qytetin e Tetovës rrugët kryesore janë të pastruar ndërsa në trotuare dhe rrugët dytësorë lëvizet me vështirësi.

?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button