Zaev për Der Shpigel: Emër pa përkthim është i papranueshëm

“Nuk dua as të mendoj se nuk do të kemi sukses që të gjejmë zgjidhje në kontestin me Greqinë për çështjen e emrit”, kështu ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, në intervistë për magazinën gjermane Der Shpigel, njofton Portalb.mk.

“Mendoj se të dyja palëve – edhe Maqedonisë edhe Greqisë, u nevojitet mbështetje dhe inkurajim. Por nuk është rrugë e drejtë që të kryhet trysni ndaj cilës do palë. Askush nuk mundet të na e marrë vendimin e pavarur dhe sovran në kontestin për emrin”, deklaroi Zaev.

Sa i përket pretendimeve të mundshme territoriale të paralajmëruara nga Greqia, tha se të vetmet pretendime që i ka Maqedonia ndaj Greqisë janë që qytetarët e saj të shkojnë gjatë verës në plazhe.

“Po, ne duam që gjatë verës t’i okupojnë plazhet dhe ishujt e bukur grek. Më shumë se një milion shtetas të Maqedonisë çdo vit udhëtojnë në Greqi, atje i harxhojmë paratë tona, e duam Greqinë dhe ka shumë kontakte mes biznesmenëve dhe turistëve. Por sinqerisht: nuk kemi kurrfarë qëllime tjera okupuese”, deklaroi Zaev.

Propozimet, të cilat i dëgjojmë këto ditë nga politikanët grek për ndërrimin e emrit të shtetit me një emër i cili nuk do të përkthehet, nuk janë të pranuara për Zaevin.

“Nuk mund të njoh argumente të arsyeshme për diçka të tillë. Si ajo praktikisht do të shihej, që të mos përkthehet emri jonë? A duhet ta detyrojmë kancelaren gjermane Angela Merkel ose presidentin e SHBA-së, Donald Trump që të na quaj, për shembull, Severna Makedonija? Shembull të tillë nuk ka askund në botë”, deklaroi Zaev, transmeton Portalb.mk.

Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

Marrëveshje ndërkombëtare në vend të ndryshimit të Kushtetutës

Qëndrimi i kryeministrit Zaev, është i ngjashëm edhe në lidhje me kërkesat e palës greke për ndryshimin e Kushtetuës, gjegjësisht për ndryshimin e emrit kushtetues.

“Ky emër është krenaria jonë dhe identiteti jonë. Nuk shoh kurrfarë arsye për kërkesën, që ta ndërrojmë emrin kushtetues, ajo nuk është e dinjitetshme. Greqisë i nevojitet partner i besueshëm, dhe jo partner pa dinjitet. Kushtetuta mund të ndërrohet, por ato ndryshime do të mundeshin përsëri që të ndryshohen. Garancia më e rëndësishme për Greqinë është që zgjidhja e kontestit për emrin të jetë i qëndrueshëm. Ajo bëhet me marrëveshje ndërkombëtare, të cilat ratifikohen dhe vlejnë edhe në organizatat ndërkombëtare”, deklaroi Zaev.

Pas ndryshimit të emrit të autostradës dhe aeroportit të Shkupit, Zaev thotë se nuk planifikohen gjeste të ngjashme në atë drejtim, por paralajmëron se komisionet etnike nga të dyja palët do t’i ripërpunojnë librat shkollor.

Në fund të bisedës, Zaev, thotë se nuk mund të paramendojë që nuk do të ketë sukses për emrin.

“Nuk dua as ë mendoj në atë se nuk do të kemi sukses për çështjen e emrit. Ne patjetër duhet që ta zgjidhim këtë kontest, pasi që vetëm ashtu mundemi që më tej të zhvillohemi, të integrohemi në BE dhe të bëhemi shtet i përparuar me qeverisje të së drejtës. Ajo është mirë për tërë rajonin”, ka thënë Zaev.

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, dy prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia Veriore.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili dje ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Mesazh i qeshur nga Brukseli: Ecni përpara, por mbaroni punën me Greqinë që të shpërbleheni

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button