Francë, shpaloset plani i ri kombëtar për parandalimin e radikalizmit

Kryeministri francez, Edouard Philippe, ka prezantuar një sërë masash të reja që synojnë të pengojnë fenomenin e radikalizmit, strategjia e tretë e këtij vendi në më pak se katër vjet, raporton Anadolu Agency (AA).

“Plani i ri kombëtar për parandalimin e radikalizmit” fokusohet kryesisht në parandalimin dhe kontrollin e fenomenit në shkolla, në sporte dhe burgje, në nivel lokal dhe kombëtar. Ai poashtu përfshin masa për të trajtuar kthimin e luftëtarëve francezë nga luftërat, si nga Siria dhe Iraku.

Dje, kryeministri Philippe, i rrethuar nga disa ministra të qeverisë, foli në një konferencë shtypi në qytetin Lille të Francës, ku është një nga burgjet e përdorura për të burgosurit e dhunshëm, nganjëherë edhe për të radikalizuarit.

“Ky është një plan mobilizimi. Është një betejë që shteti i vetëm nuk mund ta luftojë”, tha kryeministri francez, duke iu referuar planit të ri.

Sipas të përditshmes franceze “Le Figaro”, rreth 20 mijë persona janë raportuar në polici si radikal të mundshëm.

Nga rreth 70 mijë të burgosur në Francë, 512 aktualisht janë të burgosur për aktet e terrorizmit. Përveç kësaj, mediat lokale raportojnë se 1.139 të burgosur janë identifikuar si “të radikalizuar”.

Franca mbetet në alarm të lartë që nga sulmet e vitit 2015 dhe vendi ka qenë objektiv i disa sulmeve të tjera vdekjeprurëse në dy vitet e fundit, pavarësisht nga gjendja e jashtëzakonshme që u zgjat disa herë dhe përfundoi nëntorin e kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button