ANALIZË: Cilat kompani dhe mbi çfarë baze do të fitojnë para shtetërore?

Ndihmë shtetërore për të punësuarit e rinj do të marrin investuesit që do të paguajnë rrogë që është më e lartë për 50% se sa rroga minimale neto. Pjesa më e madhe e punësimeve do të kushtëzohen nga disa faktorë – para së gjithash të rekrutohen njerëz që vijnë nga firmat e falimentuara ose kompanitë e likuiduara ose të jenë në listën e të papunësuarve për disa muaj me radhë, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Mbështetje financiare për projektet investuese me interes të veçantë ekonomik do të mund të marrin firmat, investimi i të cilave do të jetë prej 4 deri në 20 milionë euro.
Qeveria i ndryshon rregullat “e lojës” për investuesit, mirëpo një pjesë e ekonomistëve i përmendin disa dobësi – formën e re të diskriminimit dhe mospërputhjen e zgjidhjes së propozuar ligjore me ligjet e tjera që e rregullojnë ndihmën shtetërore.

Ligj i ri për “ekonominë e madhe”

Presioni për transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në lidhje me shpenzimin e parave shtetërore për mbështetjen e investimeve të huaja rezultoi me rregullativë të re. Në rrjedhë e sipër është debati për Ligjin për mbështetje financiare të investimeve. Precizohen kushtet, dinamika dhe kriteret për ndarjen e ndihmës shtetërore, dhe përcaktohet vlera maksimale e shumës për një punësim të ri.

“Vlera maksimale vjetore e mbështetjes financiare që mund të ndahet për një punësim të ri është 4.400,00 еuro. Mbështetja financiare mund të ndahet për periudhë kohore më të gjatë se pesë vjet, llogaritur nga dita e nënshkrimit të kontratës për punësim” – thuhet në zgjidhjen e propozuar ligjore.

Në mes tjerash, ndihmë shtetërore do të fitojnë edhe firmat në të cilat 75% e të punësuarve të rinj do ta plotësojnë ndonjërin nga këto kushte: së paku 3 muaj para punësimit të mos kenë qenë në marrëdhënie pune, së paku 12 muaj para punësimit të mos kenë qenë të punësuar te ndonjë shfrytëzues i ndihmës financiare ose në ndonjë subjekt të ndërlidhur afarist, për herë të parë të vendosin marrëdhënie pune, marrëdhënia e fundit e punës t’u jetë ndërprerë për shkak të hapjes së procedurës për falimentim ose likuidim, apo në momentin para punësimit të ketë qenë i punësuar në administratën publike ose atë shtetërore.

Propozim-ligji i definon edhe investimet që janë me interes të veçantë ekonomik për shtetin, dhe këtu bëjnë pjesë investimet duke filluar prej 4 milionë eurosh me së paku 300 të punësuar të rinj, e deri në 20 milionë eur, njofton Portalb.mk. Për këtë lloj investimesh janë paraparë një sërë lehtësimesh, në mesin e të cilave bëjnë pjesë edhe këto:

“Lirimi nga pagesa e tatimit personal në fitim (apo si alternativë kthimi i tatimit të paguar). Lirimi nga pagesa tatimit në fitim (apo si alternativë kthimi i tatimit të paguar). Mjete në para në vlerë deri në 10% të shumës së realizuar për investime (mjetet materiale dhe ato jomateriale) të paraparë me kontratën, mirëpo jo më shumë se 1.000.000 еuro dhe mjete në para në vlerë prej 2.000 еurosh për çdo të punësuar për të cilin është paguar neto rrogë prej së paku 18.000,00 denarësh për subjektin afarist që ka mbi 300 persona të punësuar.”

Në formë të përmbledhur, ndihma shtetërore për një firmë nuk mund të tejkalojë 50% të vlerës së përgjithshme të investimit. Ligji tani është në shqyrtim nga ana e komunitetit afarist. Janë dhënë edhe vërejtjet dhe sugjerimet e para. Për një pjesë të afaristëve, zgjidhja e propozuar ligjore nuk është në favor në bizneseve të vogla dhe të mesme.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore dhanë rekomandime në disa pika – të zgjerohet lista e sektorëve që kanë potencial të madh për zhvillim të ekonomisë, të punohet në përgatitjen e ligjit dhe të dispozitave të nevojshme për zbatimin e tij, të bëhet koordinim me organet e tjera kompetente që të eliminohen konfliktet eventuale me ligjet e tjera, të sigurohen masa konkrete për kompanitë nga mjediset rurale.

“Këto vërejtje i japim për shkak se duam të kyçemi në debatin publik për ligjin dhe ta stimulojmë debatin për këtë ligj, të cilin e konsiderojmë si shumë të rëndësishëm. Ne jemi korrigjues të politikave ekonomike dhe mbetemi të përkushtuar ta ndihmojmë shtetin në zhvillimin dhe rritjen ekonomike” – deklaroi për Portalb.mk drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Duke pasur parasysh faktin se bizneset e vogla dhe të mesme absorbojnë mbi 85% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve, është shumë me rëndësi se si do të trajtohen ato në këtë zgjidhje ligjore dhe sa do të kujdeset shteti për mbijetesën e tyre, thotë ekonomisti, Goran Rafajllovski. Ai konsideron se me zgjidhjen aktuale mbështetet “ekonomia e madhe”.

“Mendoj se puna është vendosur me kokën poshtë. Sipas meje synim duhet të jenë firmat e vogla, të cilat vështirë arrijnë deri te paratë, garancitë bankare, kreditë. Praktikisht, tani e ndihmojmë “ekonominë e madhe”. Nga ky aspekt, konsideroj se udhëhiqen politika diskriminuese” – thotë për Portalb.mk konsulenti Rafajllovski.

Nga qeveria thonë se bizneset e vogla do të jenë prioritet i politikave për zhvillimin e ekonomisë dhe se përgatiten masa me të cilat do të përmirësohet dhe do të rritet bashkëpunimi ndërmjet firmave të huaja dhe atyre të vendit, veçanërisht me ato më të voglat.

“Logjikën ekonomike do ta sigurojmë me implementimin e masave. Në planin për rritje ekonomike formuluam një masë me të cilën drejtpërdrejtë do ta stimulojmë bashkëpunimin ndërmjet kompanive të huaja dhe atyre të vendit. Në qoftë se ndonjë kompani e huaj bën furnizim për prodhimtari në lartësi prej 15 për qind nga furnizimet e përgjithshme nga kompanitë e Maqedonisë, qeveria do të sigurojë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare në lartësi prej 1 për qind të furnizimeve të përgjithshme të bëra nga kompania” – deklaroi para do kohësh zëvendës-kryeministri, Koço Angjushev.

Ekonomistët përmendim edhe “kurthe” të tjera të mundshme në zgjidhjen e propozuar ligjore për ndarjen e ndihmës shtetërore për investuesit e vendit dhe ata të huaj. Nga qeveria thonë se me zgjidhjen e re ligjore do të sigurohet barazi e kompanive, me ç’rast me mbështetjen e investuesve do të ndikohet që të ketë rritje të përgjithshme të ekonomisë. Ndarja e ndihmës financiare deri tani ishte e rregulluar me Ligjin për zonat për zhvillim teknologjik industrial dhe me Ligjin për themelimin e Agjencisë për investime të huaja dhe promovimin e eksportit.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Këshillit të investuesve të huaj, Shtefan Peter, tha se kompanitë në Maqedoni duhet t’u përshtaten kushteve të kërkesave të tregut.

“Atë që ua rekomandoj kompanive vendore është ta dëgjojnë kërkesën e kompanive të huaja, e jo vetëm të ofrojnë diçka në treg. Duhet t’i kontaktojnë investuesit e huaj, të shohin se çka kërkohet në treg dhe t’i plotësojnë nevojat e tyre. Kaluan kohërat kur prodhohej diçka, e pastaj kërkohej treg ku të shitet”, theksoi Peter.

A do të jenë investuesit e huaj edhe më tutje të privilegjuar në krahasim me investuesit vendorë. Ligji i ri me të cilin do të duhej të barazoheshin, akoma nuk është gati, ndërsa një pjesë e afaristëve konsiderojnë se zgjidhja ligjore është duke u sjellë shumë vonë, njofton Portalb.mk. Sipas biznesmenëve vendorë, që të munden edhe ata të shfrytëzojnë ndihmë, njëri nga kushtet e parapara me masat për rritje ekonomike është llogaria përfundimtare e kompanive, e cila dorëzohet në mars.

“Shumë u zgjat teksti i ligjit, duke pasur parasysh se qeveria masat i solli në shtator të vitit 2017 dhe në gjithë atë periudhë kohore kishte mundësi edhe të konsultohej biznesi edhe të përgatitet një tekst i mirë i ligjit. Biznesi nuk mund të durojë zgjatje të panevojshme dhe mendojmë se kjo do të kishte efekt negativ. Pasi të publikohet ligji do të shohim se çfarë afatesh parashihen për të aplikuar për këto subvencione” – deklaroi për Portalb.mk Drilon Iseni, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Iseni dyshon edhe në zbatimin e ligjit. Ai thotë se edhe më parë janë miratuar zgjidhje të mira ligjore, mirëpo zbatimi i tyre ka qenë selektiv. Lidhja e Odave Ekonomike tani për tani nuk ka koment. Oda Ekonomike e Maqedonisë pret që fillimisht ta shohë ligjin, e pastaj do ta thotë qëndrimin e saj.

“Oda pret që sa më parë ta shohë përmbajtjen e ligjit dhe pas konsultimeve me kompanitë do të ndërtojë qëndrim për të”, thonë nga OEM-i.

Ministria për Ekonomi nuk u përgjigj se pse vonohet me zgjidhjen ligjore. Sipas tyre, teksti i propozuar i ligjit do të publikohet të enjten, me ç’rast të gjitha palët e interesuara do të kenë mundësi ta thonë mendimin e tyre.

Zëvendës-kryeministri Angjushev, pret që ligji i ri të sillet deri në fund të muajit mars, ndërsa masat tashmë janë definuar në planin qeveritar për rritjen ekonomike dhe ato vlejnë njësoj për të gjithë.

“Afatet do të respektohen absolutisht dhe kjo do të përputhet me dorëzimin e llogarive përfundimtare të kompanive të Republikës së Maqedonisë, të cilat duhet të përfundohen deri të fund të muajit shkurt të këtij viti”, tha Angjushevi.

Për zhvillimin ekonomik, këtë vit në buxhet janë paraparë 50 milionë euro. Ndihmë është paraparë për kompanitë që do të japin rroga më të larta se 300 euro, kompanitë e huaja që do të bashkëpunojnë me kompanitë vendore poashtu do të marrin subvencione, ndërsa do të subvencionohen edhe bizneset që do të pushtojnë tregje të reja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button