Mos e vet, se t’kallxon vetë

U bë një kohë prej kur kolegu dhe miku im Salajdin Salihu merret me shkrimet e medieve të dikurshme serbe, kroate e sllovene, që lidhen më çështjen shqiptare dhe vatrat tona stërgjyshore. Ky pasion ka rezultuar me të dhëna interesante dhe të panjohura për publikun shqiptar, të cilat Salkoja (është ky emri me të cilin e thërras unë Salajdinin) përgatitet t’i botojë si vepra më vete.

Fryt i kërkimeve të tij në gazetat, revistat dhe veprat e dixhitalizuara dhe të publikuara në çudinë elektronike është dhe studimi “Nëpër regjionin e Tetovës”, i autorit serb Jovan Haxhi Vasileviq, botuar në Beograd në vitin 1938. Kuptohet, studimi në fjalë është bërë për nevojat e politikës ekspansioniste serbe, synimi i përhershëm i së cilës ka qenë shtrirja sa më e thellë në territoret etnike shqiptare.

Kështu, hiq përshkrimet e detajuara të Tetovës me rrethinë, Haxhi Vasileviqi, duke u përpjekur ta serbizojë edhe qiellin e tokën bashkë me popullatën autoktone të këtyre anëve, ra në grackat e kontradiktave, njësoj si iqët dhe hiqët e panumërt të pseudohistorisë serbe, e cila ka pasur dhe ka për mision falsifikimin e të pafalsifikueshmes.

Po përmend në vijim ca të vërteta historike që iu përvodhën Vasileviqti dhe iu ngatërruan me malin e mashtrimeve ordinere antishqiptare. Ai e pranon se serbët janë pushtues të krahinës së Sharrit e të Pollogut; se historiografia serbe nuk di gjë për përkatësinë etnike të popullatës që jetonte në këtë rajon para pushtimit osman; se nuk di gjë për atë që ai e quan “kolonizim turk” të Tetovës dhe jo vetëm, gjithnjë duke identifikuar shqiptarët me turqit, që vërtet i pushtuan këto vise, po nuk i kolonizuan, ashtu siç vepruar serbët…; se në Tetovë u turqizuan një numër i madh arnautësh; se në kohën e Abdurahman pashës në Tetovë janë vendosur familje të shumta vllehe; se, pas vitit 1912, në Tetovë u vendosën shumë serbe nga Reka e Epërme e Dibrës (!?); se, në periudha të caktuara serbët paskan ikur nga këto vise prej zullumit të arnautëve e plot gjepura të tjera që bien ndesh njëra me tjetrën dhe nxjerrin në pah mashtrimin e madh serb me të cilin u justifikua copëtimi i trojeve shqiptare dhe krimet gjenocidiste mbi qenien tonë…

Po sjell të parafrazuara dhe në përkthim të lirë ca pjesë të “studimit” të Vasileviqit enkas për lexuesit e Portalbit:

  • Në ekspeditën e tij ushtarake drejt jug-lindjes (1093), konti i madh Vukani e pushtoi Shkupin, krahinën e Vrajës (serb. Vranje) dhe Pollogun. Më 1189 edhe Stefan Nemanja, mes tjerash, e pushtoi Tetovën (Pollogun e Epërm) dhe Leshkën e Gradecin (pollogu i Poshtëm). Megjithatë, këto dy ekspedita ushtarake qenë më shumë ekskursione të përkohshme luftarake në këto rajone. Këto territore, ia bashkangjiti përfundiumisht Serbisë mbreti Millutin në vititn 1282…
  • Nuk është e njohur se si i pushtuan turqit këto vise. Nuk i njohim gjithashtu as rrethanat ne të cilat u zhvillua jeta nën turqit. Megjithatë, mbështetur në shënimet e vitit 1677, shihet se këtu janë zhvilluar ngjarje dramatike, si në gjithë Turqinë evropiane. Gjatë vitit të përmendur Mahmud bej Peja (serb. Pekski), me ndihmën e Tatarëve plaçkiti Kalkandelen (Tetovën), Pollogun e Epërm dhe të Poshtëm, Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Plavën…
  • Në vitin 1912 Divizioni II i Moravës e pushtoi regjionin e Tetovës. Popullatën e sotme të qytetit të Tetovës e përbëjnë: Serbët Shqiptarët dhe Turqit…
  • Nëse mbamendja e popullatës sonë është e saktë, atëherë njerëzit tanë u vendosën sërish në Tetovë vetëm gjatë gjysmës së dytë të sh. XVIII. Simo Bogojeviqi, themeluesi i vëllazërisë së Bogojeviqëve në Tetovë, u ka thënë të vetëve se gjatë fëmijërisë së tij, rreth vitit 1870, në Tetovë kishte gjithsejt gjashtëmbëdhjetë shtëpi të krishtera, që qenë vendosur në qytet pak kohë më parë. Pjesa më e madhe e të krishterëve të vendosur në Tetovë erdhën nga Siriniqi i Prizrenit. Mëhalla e parë e të krishterëve ishte Potoku, pranë Batall xhamisë. Pastaj për një kohë u ndal vendosja e të krishterëve në Tetovë, për të vazhduar më pas në kohën e luftës së Krimesë (1853-1856). Gjer në vitin 1909 pjesët e krishtera të qytetit erdhën duke u rritur me të madhe…
  • Pak para çlirimit nga Turqit më 1012, në qytetin e Tetovës jetonin 20.000 banorë. Nga ky numër, pjesa më e madhe ishin Shqiptarë dhe Turqë. Si në të gjithë qytetet tjera, edhe në Tetovë ishin turqizuar shumë arnautë dhe ishte e vështirë t’i dallosh nga njëri-tjetri. Rreth vitit 1800, Abdurahman pasha i Tetovës, mes tjerash, edhe për shkak të ndërtimit të kalasë, vendosi në Tetovë rreth 60 familje vllehësh nga Maqedonia jugore, por edhe ata u asimiluan të gjithë në serbë…

Kështu pra shkruan Jovan Haxhi Vasileviqi në studimin e tij mbi të shkuarën e Tetovës me rrethinë, ku ngatërron të vërtetat me mashtrimet ordinere, sigurisht: duke besuar asokohe se shqiptarët do të jenë përjetësisht analfabetë. Ndoshta dhe më keq se kaq: duke shpeesuar se politika gjenocidiste serbe do t’i zhbëjë pa nam e nishan që në gjysmën e parë të sh. XX.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button