Han: Brukseli do të rekomandojë fillim të bisedimeve me Maqedoninë

Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, ka deklaruar se Komisioni Evropian, do të rekomandojë fillim të bisedimeve të pranimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë, duke përkrahur zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor, njofton Portalb.mk.

“Komisioni Evropian së shpejti do të rekomandojë, sipas të gjitha gjasave në fund të verës, që vendet anëtare të fillojnë bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Ish Republikën Jugosllave Maqedoninë. Besojmë se të dy vendet në periudhën e kaluar kanë bërë reforma të rëndësishme dhe për atë po kualifikohen për këtë hap”, tha Han në një intervistë për gazetën gjermane “Di Velt”.

Për Maqedoninë theksohet se është kandidate për anëtarësim në BE që nga vitit 2005 dhe po bën përpjekje për zgjidhjen e çështjes së emrit me shtetit fqinj, Greqinë, problem i cili daton që nga pavarësimi i shtetit, gjegjësisht që nga vitit 1991.

Maqedonia dhe Shqipëria duhet që t’i kyçen Malit të Zi dhe Serbisë të cilën i kanë filluar bisedimet e anëtarësimit në vitin 2012, gjegjësisht 2014 dhe të cilat do të munden të bëhen anëtare në vitin 2025. KE duhet që ta kumtojë raportin për progres të shteteve kandidate për anëtarësim në BE më 17 prill të këtij viti.

Megjithatë, Maqedonia duhet t’i kryej “detyrat”

Ndryshe, më 6 shkurt, BE e publikoi Strategjinë për zgjerimin e BE-së deri në vitin 2025 për ato që do t’i plotësojnë kushtet e nenit 48 nga Marrëveshja për Bashkimin Evropian, duke i përfshirë edhe kriteret e Kopenhagës.

Që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, kushti kryesor është i qartë – pa zgjidhjen e emrit nuk ka anëtarësim në BE. Kë e tha edhe sekretari i përgjithsëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili ishte për vizitë në Maqedoni, por edhe përfaqësuesit e BE-së.

Çështja e emrit vazhdon të jetë nyja që s’po mundet të zgjidhet mes dy shteteve fqinje. Gjatë vizitës së djeshme të kryeministrit Zoran Zaev në Gjermani, kancelarja Angela Merkel dha porosi që emri duhet të bëhet me kompromis dhe jo me trysni.

“Qëndrimi im është se problemi duhet të zgjidhet, ndërkaq trysnia nuk është shumë në dobi. Kam përshtypje se pas një periudhe të gjatë ka interes te të dyja palët për zgjidhje dhe ajo është një parakusht i mirë. Besoj se deklaratat publike ndonjëherë më shumë mund të dëmtojnë se sa të ndihmojnë. Kompromiset gjithnjë janë të dhimbshme, por zgjidhja është e mundshme vetëm në atë mënyrë dhe këtu mundet të gjendet rruga. Ajo është art diplomatik. Dhe për atë nuk flitet nëpër konferenca për shtyp, por pas dyerve të mbyllura”, deklaroi Merkel.

Bisedimet mes Greqisë dhe Maqedonisë për kontestin e emrit tanimë janë në nivel ministrash. Në opinion janë publikuar disa propozime për emrin si “Maqedonia e Epërme”, “Maqedonia e Vardarit”, por edhe “Maqedonia e Re”.

Ndër problemet më të theksuara në bisedime është çështja nëse pas ndërrimit të emrit, Maqedonia duhet ta ndërrojë edhe Kushtetutën. Pozita e Greqisë është se duhet të ndërrohet Kushtetuta, ndërkaq Maqedonia thotë se nuk është e nevojshme. Nga ana tjetër, partitë opozitare greke kërkojnë që gjatë riemërimit të shtetit të mos përdoret termi Maqedoni, edhe pse kryeministri Aleksis Cipras, e ka kundërshtuar një gjë të tillë, përcjellë Portalb.mk.

Ajo që deri më tani e ka bërë Maqedonia në praktikë për zbutjen e marrëdhënieve me Greqinë është se e ndërroi emrin e aeroportit dhe autostradës, të cilat në më nuk do të quhen “Aleksandri i Madh”, por aeroporti do të quhet “Aeroporti i Shkupit”, ndërkaq autostrada “Miqësi”.

Merkel në takim me Zaevin: Zgjidhja e emrit duhet të bëhet me kompromis, jo me trysni (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button