Plot gjashtë vite premtohet shkolla, nuk janë vendosur madje as themelet!

Banorët e Vizbegut vazhdojnë të ankohen lidhur me mungesën e shkollës dhe atë se fëmijët e tyre duhet të udhëtojnë deri në Shuto Orizare për të ndjekur mësimin fillor, njofton Portalb.mk.

Vite me radhë premtohet ndërtimi i një shkollë fillore në këtë lagje të komunës së Butelit, pasi që numri i nxënësve është i madh dhe të njejtët ndjekin mësimin mjaft larg nga vendbanimi i tyre. Banorët për Portalb.mk shprehen të revoltuar duke thënë se më janë lidhur nga premtimet.

“U lodhën duke e premtuar dhe ende asgjë. Secili jep premtime boshe, kurse pasojat bijën mbi fëmijët tanë të cilët në këtë dimër të ftohtë udhëtojnë deri në Shutkë për të ndjekur mësimin fillor”, thonë banorët.

Portalb disa herë vizitoi këtë lagje dhe pa sa shkolla fillore “Kliment Ohridski” ishte lyer nga jashtë, mirëpo mbi të nuk kishte ndonjë tabelë, ndërkaq për nxënësit shqiptarë u tha se nuk do të mësojnë aty por që do të ndërtohet shkollë e re.

Kurse sa i përket vendit i cili u nda për ndërtimin e këtij objekti, që duhej të fillonin punimet në mars të vitit që lamë pas, nuk është bërë asgjë, madje as themelet nuk janë hapur.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë për Portalb.mk se projekt për ndërtimin e kësaj shkolle ka, por që pengesë është pronësia e vendit se ku do të ndërtohet.

“Projekt për ndërtimin e shkollës fillore në Vizbeg ka ne MASH, por shkaku që nuk kanë vijuar proceset për ndërtimin qëndron problemi i pronësisë së hapësirës ku do të ndërtohet ky objekt”, tha për Portalb zëdhënësi i MASH-it, Vlladimir Dellov.

Portalb kërkoi përgjigje nga komuna e Butelit lidhur me sigurimin e vendit për ndërtimin e shkollës, por nga aty na thanë që të dërgojmë mail, të cilit ende nuk iu janë përgjigjur.

Ndryshe, lagjja e Vizbegut në një ta ardhme të shpejtë pritet të bëhet me shkollë fillore, kështu kishte paralajmëruar kryetari i komunës së Butelit, Petre Llatinovski qysh në vitin 2012Ai madje tha se është siguruar një sipërfaqe prej 11 mijë katrorë ku parashihet të ndërtohet një objekt në bazë të të gjitha standardeve për mësim.

Mirëpo edhe pas pesë viteve nuk ka asgjë të re sa i përket ndërtimit të objektit të ri shkollor në Vizbeg.

Në vitin 2014 nga komuna e Butelit thanë për Portalb se në Vizbeg është paraparë të ndërtohet shkollë fillore por edhe foshnjore për parashkollorët, por deri më tani nuk është bërë as njëra e as tjetra.

Kurse kohë më parë tani më ish ministri i arsimit i  Pishtar Lutfiu premtoi se në 2017 do të fillojnë punimet në ndërtimin e objektit të ri shkollor në Vizbeg, mirëpo banorët shprehen skeptik sa i përket kësaj çështje duke pasur parasysh se tani gjendemi në një periudhë parazgjedhore.

Derisa organet kompetente nuk ndërmarrin asgjë, 800 nxënësit shqiptar të lagjes Vizbeg të Shkupit do ta fillojnë vitin e ri shkollor  4 kilometra larg, në shkollën fillore ’26 Korriku’ në Shuto Orizare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button