fbpx

Merkel në takim me Zaevin: Zgjidhja e emrit duhet të bëhet me kompromis, jo me trysni (VIDEO)

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në konferencën për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev, në Berlin, deklaroi se për të është inkurajuese që një periudhë të gjatë të dyja palët (Greqia dhe Maqedonia, shkrim i redaksisë), janë të interesuara që të gjejnë zgjidhje. Ajo tha se zgjidhja duhet të bëhet me kompromis dhe e njëjta të kryhet prapa dyerve të mbyllura, njofton Portalb.mk.

“Qëndrimi im është se problemi duhet të zgjidhet, ndërkaq trysnia nuk është shumë në dobi. Kam përshtypje se pas një periudhe të gjatë ka interes te të dyja palët për zgjidhje dhe ajo është një parakusht i mirë. Besoj se deklaratat publike ndonjëherë më shumë mund të dëmtojnë se sa të ndihmojnë. Kompromiset gjithnjë janë të dhimbshme, por zgjidhja është e mundshme vetëm në atë mënyrë dhe këtu mundet të gjendet rruga. Ajo është art diplomatik. Dhe për atë nuk flitet nëpër konferenca për shtyp, por pas dyerve të mbyllura”, deklaroi Merkel.

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev, deklaroi se Gjermania është partner strategjik, ndërkaq u bëri thirrje kompanive gjermane që të vazhdojnë me investime në Maqedoni.

“Këtë vit shënojmë 25 vite prej vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Gjermania është partneri numër një në tregtinë e vendit tonë dhe gjithsesi njëri ndër partnerët më të mëdhenj strategjik të Maqedonisë. Vlera e këmbimit tonë tregtarë ka arritur në 3.6 miliardë euro dhe çdo vit rritet.  Dua ta shfrytëzoj rastin që t’i inkurajoj kompanitë gjermane që të vazhdojnë me ekspanzion të bizneseve të fuqishme në Maqedoni”, tha Zaev.


Ndryshe, takimi i delegacionit nga Maqedonia në Berlin është në suaza të vizitës zyrtare të delegacionit qeveritar të udhëhequr nga Zaev në Gjermani.

Gjatë vizitës në Berlin, Zaev është parashikuar të takohet edhe me presidentin e Gjermanisë Frank Ualter Shtajnmajer.

Zaev do të mbajë edhe fjalim në zyrën qendrore të Fondacionit “Fridrih Ebert”.

Takimi i parë bilateral i kryeministrit Zaev me kancelaren gjermane Merkel u mbajt në Trieste, në korrik të vitit të kaluar, në margjinat e Samitit “BE-Ballkani Perëndimor”.

Merkel atëherë shprehu përkrahje për Qeverinë e re të Maqedonisë për vendosmëri për reformat thelbësore dhe për përcaktimin e integrimit të Republikës së Maqedonisë në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button